Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një festë rave në qytetin Aarau, në veri të Zvicrës.
Policia njoftoi se autorët e dyshuar janë ende të panjohur dhe se kërkimi për ta është duke vijuar. “Kërkimi për autorët, identiteti i të cilëve aktualisht nuk dihet, është duke u zhvilluar”.
Sipas autoriteteve, ende nuk janë të qarta motivet dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.
Incidenti ndodhi në Aarau, rreth 40 kilometra në perëndim të Zyrihut, ku policia ndërmori një operacion të gjerë. Të shtënat u regjistruan në orët e para të së dielës, para orës 03:00, pranë zonës ku po zhvillohej festa vjetore Aarauer Rave, një event i muzikës techno që mblodhi rreth 3,500 persona.
Sipas gazetës zvicerane Blick, e cila citon zëdhënësen e policisë Vanessa Rumpold, të shtënat ndodhën në pistën e garave Schachen, ku ishte organizuar festa.
“Disa të shtëna u qëlluan brenda një grupi të madh njerëzish”, tha Rumpold, sipas raportimit të gazetës.
Policia e Kantonit Aargau ka angazhuar një numër të madh forcash në terren, ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Për arsye sigurie, prania policore është shtuar edhe në zonat përreth Aaraut.
Më herët, policia u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg zonës ku ndodhi incidenti. Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu nga dëshmitarët që të ndajnë me ta çdo video apo fotografi që mund të ndihmojë në hetimin e ngjarjes.
Hetimet vijojnë ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për përcaktimin e motivit të sulmit.