Një shpërthim i fuqishëm tronditi këtë të martë kryeqytetin sirian, Damask, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur në një zonë të frekuentuar pranë Pallatit të Drejtësisë.
Sipas televizionit shtetëror sirian, shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet e sulmit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëme të mëdha në lokalin ku ndodhi shpërthimi, me xhama të thyer, mobilie të shkatërruara dhe gjurmë gjaku në dysheme. Banorët e zonës u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve deri në mbërritjen e ambulancave.
Menjëherë pas shpërthimit, forcat e sigurisë rrethuan zonën nga frika e një shpërthimi të dytë, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë publike dhe private për të identifikuar personat përgjegjës.
Sipas autoriteteve siriane, deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme për të identifikuar autorët, megjithatë dyshohet se pas sulmit mund të fshihen qeliza të fjetura terroriste, të cilat synojnë destabilizimin e vendit.
Guvernatori i Damaskut, Maher Marwan, deklaroi se situata e sigurisë në kryeqytet është përmirësuar muajt e fundit, por paralajmëroi se ende ekzistojnë grupe që përpiqen të godasin stabilitetin e Sirisë.
“Sa më shumë që Siria fiton stabilitet, aq më shumë ka njerëz që përpiqen ta dëmtojnë atë. Ata që derdhën gjakun e sirianëve do të mbajnë përgjegjësi,” u shpreh ai.
Shpërthimi ndodhi në një zonë tepër të frekuentuar, pranë tregjeve dhe Pallatit të Drejtësisë, ku gjatë këtyre ditëve po zhvillohen procese gjyqësore ndaj ish-zyrtarëve të regjimit të Bashar al-Assad, përfshirë edhe ish-myftiun e madh të Sirisë, Ahmad Badr al-Din Hassoun.
Autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë që numri i viktimave të rritet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet në vendngjarje vijojnë.