Sulm Rus +48 orësh mbi Ukrainë, 37 të vdekur dhe qindra të evakuar

Sulm Rus +48 orësh mbi Ukrainë, 37…

Ka shkuar në 37 numri i personave që kanë humbur jetën, ndërsa afro 400 të tjerë janë evakuar, pas një sulmi me dron rus që goditi një depo municionesh pranë një zone të banuar në periferi të Kievit.

Shpërthimi i predhave, minave dhe dronëve të depozituar aty të premten në mbrëmje, më 28 gusht, dëmtoi ndërtesat përreth, përfshirë një qendër kujdesi për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se depoja e armëve “nuk duhej të ishte aty” dhe njoftoi nisjen e një hetimi për atë që e cilësoi si “neglizhencë të rëndë” nga personat përgjegjës për ruajtjen e lëndëve shpërthyese pranë banorëve.

Sipas kreut të administratës rajonale, Tymur Tkachenko, 42 persona u plagosën nga shpërthimi, mes tyre edhe katër fëmijë. Operacionet e shpëtimit vijuan të shtunën në zonën e Buchas.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse kishin goditur “një depo municionesh” në fshatin Myla, në perëndim të Kievit, ku ruheshin komponentë për dronët me rreze të gjatë veprimi FP-1 dhe FP-2.

Zelensky e cilësoi vendimin për ruajtjen e municioneve në atë zonë si “absolutisht të papranueshëm”, ndërsa autoritetet ukrainase kanë hapur procedime penale për neglizhencë në detyrë dhe po hetojnë ligjshmërinë e vendosjes së depos pranë zonave të banuara.

Ky është sulmi i dytë ndaj një depoje municionesh pranë Kievit në muajt e fundit. Në korrik, një shpërthim në një depo në Vyshneve vrau nëntë persona, plagosi dhjetëra të tjerë dhe dëmtoi mbi 280 banesa.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan edhe viktima nga sulme të tjera. Një 14-vjeçar u vra në distriktin Boryspil, ndërsa kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, njoftoi se një fëmijë  2-vjeçar humbi jetën në zonën Obolonskyi pasi një dron rus u rrëzua.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas autoriteteve lokale, pesë persona humbën jetën në mbarë Ukrainën. Zelensky raportoi sulme edhe në Odesa, Dnipropetrovsk, Sumy dhe Zaporizhia, ndërsa ushtria ukrainase deklaroi se kishte rrëzuar 233 dronë rusë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit