
Mbi 145 persona, kryesisht gra, raportojnë se janë sulmuar me gjilpëra në qytete të ndryshme franceze gjatë natës së festivalit të muzikës
Mbrëmja festive e 21 qershorit në Francë, në kuadër të “Fête de la Musique”, është shndërruar në një episod të frikshëm për dhjetëra qytetarë. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, të paktën 145 persona – pjesa më e madhe gra – kanë paraqitur kallëzime për sulme me gjilpëra gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës.
Autoritetet konfirmojnë se 12 persona janë arrestuar në lidhje me këto ngjarje. Në qytetin jugperëndimor të Angoulême, katër individë dyshohen për përfshirje në rreth 50 raste të tilla. Ndërkohë, vetëm në Paris janë raportuar 13 raste të ngjashme.
Sulmet janë regjistruar në vende publike ku qytetarët ishin mbledhur për të festuar natën e solsticit veror. Viktimat raportojnë se janë pickuar në këmbë, krahë apo qafë, dhe menjëherë kanë ndjerë simptoma të tilla si marramendje dhe të përziera. Disa prej tyre janë dërguar në spital për ekzaminime toksikologjike.
Policia thekson se ende nuk është përcaktuar se çfarë substance është përdorur. Testet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultate të qarta. Mediat vendase hedhin hipotezën se mund të bëhet fjalë për të ashtuquajturën “drogë e përdhunimit”, që përfshin substanca si GBL apo GHB me efekt sedativ, që mund të përdoren për të mpirë viktimat për qëllime abuzimi seksual.
Një tjetër mundësi është që të jetë injektuar insulinë ose adrenalinë, substanca që shkaktojnë reagime të menjëhershme në trup. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që injeksionet të mos kenë përmbajtur asgjë, ndërsa simptomat e raportuara të jenë rezultat i panikut.
Festivali i muzikës, që tradicionalisht simbolizon gëzimin e verës dhe komunitetit, këtë herë u njollos nga frika dhe pasiguria. Autoritetet po vijojnë hetimet dhe kanë shtuar prezencën e forcave të rendit në ngjarje të ngjashme për të garantuar sigurinë e qytetarëve.