Sulmi në paradën e LGBTQ+ në Berlin, vritet nga policia autori i dyshuar

Sulmi në paradën e LGBTQ+ në Berlin,…

Autori i dyshuar i sulmit terrorist gjatë paradës së LGBTQ+ në Berlin u qëllua për vdekje nga policia pas një përballjeje të dielën në një periferi të qytetit, duke i dhënë fund kërkimeve që zgjatën gati 24 orë, njoftuan autoritetet gjermane.

I dyshuari, i identifikuar si Abdul Ballout, shtetas gjerman me origjinë libaneze, ishte në kërkim pas sulmit të së shtunës në mbrëmje, ku një person humbi jetën dhe 29 të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas hetimeve paraprake, Ballout dyshohet se përplasi me një furgon turmën pranë zonës ku po zhvilloheshin aktivitetet e “Berlin Pride” dhe më pas sulmoi disa persona me një hanxhar. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi se të gjitha provat e deritanishme tregojnë se bëhet fjalë për një sulm terrorist me motiv ekstremist islamik.

Prokuroria e Berlinit bëri të ditur se Ballout kishte tentuar më parë t’i bashkohej organizatës terroriste ISIS. Sipas autoriteteve, ai kishte udhëtuar drejt Libanit në vitin 2025 me synimin për të kaluar në Siri, ku kishte krijuar kontakte me persona që ai besonte se ishin anëtarë të organizatës terroriste.

Ai u arrestua në Liban dhe u dënua nga një gjykatë ushtarake me tre muaj burg për vepra që përfshinin nxitjen e konfliktit fetar dhe sektar. Pas përfundimit të dënimit u rikthye në Gjermani, ku u ndalua në aeroportin e Berlinit nga autoritetet, përpara se të lirohej.

Sulmi ndodhi vetëm pak qindra metra larg aktivitetit përmbyllës të “Berlin Pride”, pranë Portës së Brandenburgut, ku ishin mbledhur mijëra pjesëmarrës.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Gjermani, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e sulmit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit