Dy shtetas shqiptarë janë identifikuar nga autoritetet italiane si të dyshuar për një sulm të dhunshëm ndaj një burri, i ndodhur në afërsi të stacionit hekurudhor të Faenzës, në provincën e Ravenës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së 26 tetorit. Dy personat dyshohet se kanë goditur viktimën me një shufër metalike, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Për shkak të plagëve të marra, në vendngjarje është thirrur ambulanca e shërbimit të urgjencës 118. Pas transportimit dhe marrjes së ndihmës mjekësore, gjendja e të dëmtuarit është vlerësuar me një prognozë shërimi prej pesë ditësh.
Menjëherë pas ngjarjes, policia e Faenzës ka nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë. Edhe pse autorët e dyshuar ishin larguar para mbërritjes së uniformave blu, hetuesit kanë mbledhur dëshmi dhe prova që ndihmuan në zbardhjen e rastit.
Një rol kyç në hetim kanë luajtur kamerat e sigurisë të vendosura në ambientet e stacionit hekurudhor dhe në zonën përreth tij. Pas shqyrtimit të pamjeve filmike dhe krahasimit të tyre me provat e administruara, policia arriti të rindërtojë lëvizjet e personave të përfshirë dhe të identifikojë dy autorët e dyshuar, të cilët rezultuan shtetas shqiptarë.
Në përfundim të hetimeve, ndaj dy shqiptarëve është referuar procedimi penal në gjendje të lirë pranë Prokurorisë së Republikës në Gjykatën e Ravenës. Ata dyshohen për veprën penale të plagosjes së rëndë në bashkëpunim.
Hetimet dhe procedurat gjyqësore vijojnë, ndërsa faji apo pafajësia e tyre do të përcaktohet nga drejtësia italiane.