
Një qytetar nga Delvina i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim që lidhet me ndërtimin e një supermarketi në afërsi të një kopshti fëmijësh.
Sipas qytetarit, supermarket “Halo” ka zaptuar tokë publike dhe pasi ka ngritur katin e parë, tashmë po punon për të ngritur katin tjetër. Problemi është i kahershëm, pasi fillimisht ndërtimi i supermarketit ka bllokuar dritaret e katit të parë të kopshtit, ndërsa tani po ndërtohet një shtesë që rrezikon të mbyllë edhe dritaret e katit të dytë.
“Pershendetje JOQ, supermarket Halo ne Delvine pasi ka zaptuar toke publike ka bllokuar dritaret e katit te pare te kopshtit te femijeve, tani po ben shtese qe te bllokoj edhe dritaret e katit te dyte,” shkruan qytetari.
Më tej ai shpreh habinë për mungesën e reagimit nga institucionet lokale, duke i akuzuar për neglizhencë.
“Nuk e kuptoj si nuk shqetesohet bashkia dhe dretoresha e kopshtit sepse nese do ta shikonit nga afer i kan mare frymen kopshtit te fëmijëve.”
Qytetari bën thirrje për ndërhyrje urgjente dhe kërkon publikimin e rastit me shpresën se denoncimi do të sjellë vëmendjen e institucioneve përkatëse.
“Ju lutem publikojeni sepse shikojme qe keta qe kane lek bejne cfare te duan.”