Tafani zbulon planin e atentatit: Paruke, fustane dhe kallashnikov për të ekzekutuar Rexhep Ginën

Tafani zbulon planin e atentatit: Paruke, fustane…

Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i penduari i drejtësisë Artan Tafani ka dhënë një dëshmi të gjatë dhe të detajuar lidhur me atentatin e dështuar ndaj Rexhep Ginës në Lushnjë.

Sipas Tafanit, atentati ishte organizuar nga Laert Haxhiu dhe ishte planifikuar deri në detajet më të vogla, përfshirë edhe maskimin e autorëve si gra për të shmangur identifikimin.

Ai tregoi para trupës gjykuese se kishte veshur një fustan të gjatë të zi dhe një xhaketë, ndërsa kallashnikovin e mbante të fshehur poshtë rrobave. Bashkëpunëtori tjetër, Fatjon Veliu, sipas tij, kishte veshur një fustan ngjyrë kremi.

Tafani deklaroi se për maskimin ishin siguruar paruke, maska plastike dhe make-up, ndërsa veshjet ishin gjetur nga e dashura e Laert Haxhiut dhe një shoqe e saj.

Sipas dëshmisë, Rexhep Gina mbahej prej kohësh nën vëzhgim dhe lëvizjet e tij filmoheshin vazhdimisht nga persona të afërt me grupin, ndërsa pamjet i dërgoheshin Laert Haxhiut.

I penduari rrëfeu se atentati dështoi pasi objektivi dyshoi sapo i pa të maskuar dhe u largua menjëherë nga zona bashkë me personat që ndodheshin pranë tij.

“Me atë veshje dukesha si kloun”, deklaroi Tafani gjatë dëshmisë, duke shtuar se në atë moment kishte hezitime për ta kryer atentatin.

Në dëshminë e tij, Tafani foli edhe për raportet mes Laert Haxhiut dhe Suel Çelës, duke pretenduar se ky i fundit kishte premtuar ndikim për mbylljen e hetimeve lidhur me vrasjen e Elton Mermalit në Peqin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit