Një pushim veror në plazhet ekzotike të Tajlandës është kthyer në një tragjedi të rëndë për familjen e një biznesmeni të njohur australian. Roger Hussey, 71 vjeç, ka humbur jetën pasi u rrëzua nga një lartësi prej rreth 30 metrash gjatë një fluturimi “parasailing” (parashutë e tërhequr nga varka) në plazhin popullor Kata në Phuket.
Ngjarja e rëndë, e cila u filmua aksidentalisht nga bashkëshortja e tij që po e ndiqte nga bregu, ndodhi vetëm 18 sekonda pas ngritjes në ajër. Në video, Hussey shfaqet fillimisht i buzëqeshur dhe i rrethuar nga instruktorët lokalë përpara se të nisej. Së bashku me të u ngrit edhe një nga operatorët e pajisjeve, i cili qëndronte i varur mbi të pa rripa sigurimi për të drejtuar parashutën.
Sipas dëshmitarëve dhe forcave të policisë lokale, gjatë kohës që parashuta po merrte lartësi, pati një konfuzion me litarët dhe mekanizmin e kapjes. Operatorët e arrestuar pretenduan se 71-vjeçari mund të ketë tërhequr gabimisht njërën nga kapëset metalike të sigurimit, duke bërë që rripat e parashutës të liroheshin plotësisht.
Hussey u rrëzua me shpejtësi në ujërat e cekëta të gjirit. Edhe pse pushuesit dhe rojet e plazhit nxituan t’i jepnin ndihmën e parë dhe e transportuan menjëherë në spital, mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar për shkak të dëmtimeve të rënda nga përplasja me sipërfaqen e ujit.
Roger Hussey ishte një figurë mjaft e respektuar dhe me ndikim në komunitetin e biznesit në Australinë Perëndimore. I diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Australisë Perëndimore dhe me një diplomë Master në Ekonomi dhe Politikë nga Universiteti i Oksfordit, ai kishte shërbyer si anëtar bordi dhe kryetar në disa kompani të rëndësishme qeveritare dhe organizata komunitare.
Policia tajlandeze ka vënë në pranga dy operatorët e varkës dhe të parashutës nën akuzën e neglizhencës dhe pakujdesisë me pasojë vdekjen, ndërsa po hetohet nëse pajisjet e sigurisë plotësonin standardet e duhura teknike.