Takimi i liderëve të partive në Kosovë pa marrëveshje konkrete për zhbllokimin e krizës politike

Takimi i liderëve të partive në Kosovë…

Diskutimet për daljen nga ngërçi institucional përfunduan pa kompromis, me akuzat dhe qëndrimet që mbeten larg nga një zgjidhje konkrete.

Takimi i thirrur nga Albin Kurti me krerët e partive parlamentare përfundoi pa një marrëveshje që do të mundësonte tejkalimin e krizës politike në Kuvendin e Kosovës. Megjithëse pjesëmarrja ishte e gjerë, përfundimi i takimit nuk solli ndonjë sinjal pozitiv për zgjidhjen e ngërçit.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se mbledhja kishte më shumë karakter publik sesa përmbajtësor. Ai e kritikoi Kurtin për qëndrime të njëanshme dhe theksoi se Lëvizja Vetëvendosje po insiston në procedura që bien ndesh me Kushtetutën, si votimi i fshehtë për drejtuesit e Kuvendit.

Abdixhiku paralajmëroi se pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, situata do të hyjë në një fazë të paqartë. Ai u shpreh se në atë pikë, roli i Presidentes do të ishte vendimtar për të shmangur thellimin e krizës.

Nga ana tjetër, Memli Krasniqi i PDK-së e cilësoi pozitive vetë mbajtjen e takimeve, por kritikoi Kurtin për mungesën e përgjegjësisë politike që, sipas tij, bie vetëm mbi liderin e VV-së dhe grupin më të madh parlamentar, siç e përcakton edhe vendimi i Kushtetueses.

Krasniqi po ashtu theksoi se nuk është kërkuar kompromis nga të tjerët, por është detyrë e Kurtit të gjejë rrugëzgjidhje. Ai shtoi se presidentja mund të luajë një rol konstruktiv në vijim për të zgjidhur krizën.

Deputetja Time Kadrijaj nga AAK tha se partia në pushtet ka refuzuar çdo ofertë të paraqitur nga opozita parlamentare. Ajo kritikoi VV-në për përdorimin e aktgjykimit të vitit 2014 vetëm në pjesët që i përshtaten, ndërsa refuzon zgjidhjet për unitetin institucional.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, theksoi se mbledhja u përqendrua më shumë në interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sesa në diskutime konkrete për dalje nga kriza. Ai nënvizoi nevojën për një marrëveshje politike si rruga e vetme për të zhbllokuar situatën.

Bashkëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, u shpreh më optimist, duke deklaruar se në takim pati qëndrime konstruktive dhe shpresë që në javët e ardhshme të arrihet një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.

Ai tha se duhet të vijojnë përpjekjet në ditët në vijim, duke shprehur besimin se vendi do të dalë nga bllokada dhe Kuvendi do të konstituohet së shpejti, përmes dialogut dhe kompromisit mes forcave politike.

Takimi nisi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare, me përjashtim të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj. Kjo parti u përfaqësua nga deputetja Time Kadrijaj. LDK ishte e pranishme me Abdixhikun dhe deputeten Hykmete Bajrami, ndërsa nga PDK morën pjesë Memli Krasniqi dhe Vlora Çitaku.

Lista Guxo u përfaqësua nga Faton Peci, Alternativa nga Mimoza Kusari Lila, ndërsa Nisma nga Fatmir Limaj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve jo-shumicë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbërriti në Kuvend përpara mbledhjes duke theksuar se fillimisht do të shihte pjesëmarrjen dhe rrjedhën e takimit, për të vlerësuar më pas nëse do të kishte diçka konkrete për të komunikuar.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit