Talebanët i afrohen Kabulit, NATO: Ofrojmë mbështetje për qeverinë afgane!

Talebanët i afrohen Kabulit, NATO: Ofrojmë mbështetje…

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten (13 gusht) se aleanca do të vazhdojë prezencën e saj civile diplomatike në Afganistan dhe se do të vazhdojë të mbështes trupat afgane në përballjen e tyre me ofensivën e talibanëve.

“Qëllimi ynë është që sa më shumë që të mundemi të mbështesim qeverinë dhe forcat e sigurisë afgane. Parësore është siguria e personelit tonë. NATO do të mbajë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës”, tha Stoltenberg, në një deklaratë pas një takimi të përfaqësuesve të NATO –s.

Talibanët kanë marrë kontrollin e një sërë kryeqytetesh rajonale gjatë një ofensive që e nisën menjëherë pasi forcat e huaja, në muajin maj, filluan tërheqjen nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe njoftuan të enjten se do të dërgojnë mijëra trupa në Afganistan për të evakuuar qytetarët e tyre.

Të premten u njoftua se ka filluar dislokimi i rreth 3 mijë trupave amerikane.

“Talibanët duhet të kuptojnë se ata nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare nëse e marrin vendin me forcë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një zgjidhje politike të konfliktit”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

“Situata në Afganistan është katastrofike”, tha një diplomat perëndimor për AFP-në.

Aleatët e NATO -s, Danimarka dhe Norvegjia njoftuan se do të mbyllnin përkohësisht ambasadat e tyre në Kabul.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit