Talebanët shqiptarë dhe llastimi i hoxhallarëve që i trajtojmë si celebritete

Talebanët shqiptarë dhe llastimi i hoxhallarëve që…

Mustafa Nano, me të drejtë ngriti zërin për një skandal që ndodhi këto ditë. Është një skandal tipik taleban: një aktor i ri, në një lokal në Tiranë ka bërë një shaka, ku ka përmendur edhe ezanin, pra këngën e muezinit të një xhamie kur thërret besimtarët për lutje.

Kjo ngjarje nuk do të kishte pasur aspak këtë zulëmi në publik, sikur një imam i kryeqytetit, Ahmet Kalaja, të mos ketë dhënë “fatvan” për të kërkuar linçimin e lokalit dhe njerëzve që kanë folur për ezanin. Dhe këtë e ka bërë në publik, në faqen e tij zyrtare, ku i drejtohet besimtarëve të tij. E çfarë ndodhi më pas?
Një numër i madh pjesëtarësh të Xhamisë së Kavajës janë shfaqur në dyert e lokalit duke kërcënuar. Për ditë me radhë, kjo ka sjellë frikën e terrorin e pronarëve, që edhe e kanë mbyllur. Më pas edhe organet e shtetit si policia dhe tatimet i kanë vënë vulën lokalit. Pse?

Sepse ka pasur një presion taleban nga Ahmet Kalaja?
Po kush është ky zotëri që ndalon dhe bllokon aktivitetet e një qyteti?
Si mundet që një klerik, i cili kryen vepër penale, pra sulmon një subjekt privat dhe individë të lirë, e detyron edhe shtetin që të bllokojë aktivitetin? Në një shtet ligjor, nëse ka probleme qoftë një klerik, qoftë një individ, bën denoncimin dhe pret reagimin e organeve shtetërore.

Mustafa Nano, ka shumë të drejtë në apelin e tij që kërkon një reagim të Kryeministrit dhe të shtetit për këtë skandal të paparë dhe rrënim të shtetit ligjor.
E gjitha kjo situatë ka ardhur nga llastimi i hoxhallarëve, që nga klerikë janë kthyer në celibritete pa logjikë kur në fakt ata i drejtohen thjesht njerëzve që kryejnë ritet në objektin e tyre fetar.

Kalaja, i cili është thjesht një imam i Xhamisë së Rrugës së Kavajës, për vite e vite u kthye në një “guru” të lojtarëve të Kombëtares së Futbollit, ç’ka dhe preku sedrën e të gjithë ata që nuk e shikonin predikimin e tij si një sjellje që u takon atyre.

U talebanizua futbolli e më pas politika për një grusht votash.
Llastimi i hoxhallarëve që, këtë e shfrytëzuan për të pushtuar hapësirën publike jo vetëm me ezanin, (se në fund të fundit ezani është një thirrje për falje), por edhe për propagandë.
Në xhaminë e Rrugës së Kavajës, tekbiret(thirrjet Allahu Ekber) me altoparlant u bënë të përnatshme a thua se jemi në një vend të aksit Afganistan-Pakistan-Iran apo në hapësirën e Gjirit Arabik.

Shqipëria edhe pse mund të ketë shumicë muslimane, nuk mund të jetë asnjëherë një vend musliman, pasi etnia prevalon mbi fenë dhe ky komb asnjëherë nuk u ngrit mbi tekbirin siç ndodhi në Bosnjën e Alia Izetbegoviçit për shembull, i cili nuk kishte identitet tjetër për njerëzit e tij përveç islamit, ngaqë flisnin serbisht.

Hoxhallarët përdoren nga politika prej vitesh e kjo nuk quhet skandal, në fakt edhe me priftërinj ndodh e njëjta gjë, nga të dyja partitë e mëdha PS e PD.PS përdor Kalanë, e PD imamin bukurosh të xhamisë së tabakëve. E më e rënda se nga këto kongregacione dalin edhe qendra politike; që është më e rëndë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit