“Tani po fillon përsëri”, misteri me gruan që nisi zinxhirin e ri të infektimeve në Kinë. Shtohet paniku, çfarë ndodhi këto 2 javë

“Tani po fillon përsëri”, misteri me gruan…

Një shpërthim i çuditshëm i rasteve me koronavirus në një qytet kinez afër kufirit rus dhe një seri rastesh të reja në Wuhan ka ngjallur frikën e një vale të re infeksionesh në Kinë.

Të Dielën, autoritetet kineze e klasifikuan Shulan, një qytet afër kufijve të Rusisë dhe Koresë së Veriut, si qytet me rrezik të lartë, pas një grupi rastesh të lidhura me një grua që nuk ka histori të njohur udhëtimi ose ekspozimi ndaj virusit.

Ky shpërthim vjen vetëm një javë pasi Kina i klasifikoi të gjitha rajonet në vend me rrezik të ulët ose të mesëm. Të Dielën, komisioni kombëtar i shëndetësisë i vendit raportoi 17 raste të reja, ditën e dytë të një rritje dyshifrore dhe numrin e tij më të lartë në gati dy javët e fundit.

Media shtetërore kineze, CGTN, tha se autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të të gjitha vendeve publike në Shulan dhe që të gjithë banorët të qëndrojnë në shtëpi përveç “rrethanave të pazakonta”. Studentët në vitin e fundit të shkollës së mesme do ti kthehen mësimit online. Asnjë taksi nuk mund të dalë nga qyteti, dhe i gjithë transporti publik është pezulluar.

Mediat lokale thanë se burimi i zinxhirit të infeksionit të Shulan mbetet një mister. Komisioni shëndetësor krahinor Jilin tha që origjinën zinxhiri i infeksioneve të reja e kishte nga një grua 45-vjeçare, e cila nuk ka histori banimi ose udhëtimesh jashtë provincës, dhe nuk ka histori kontakti të njohur me njerëz që ktheheshin nga provincat e tjera.

Javët e fundit Kina ka mbyllur kufijtë dhe ka miratuar kufizime sociale në zonat në kufi me Rusinë, përfshirë Suifenhe, në lindje të provincës Heilongjiang, pasi disa persona që ktheheshin në Kinë përmes kufijve tokësorë u diagnostikuan me Covid-19.

Më 2 maj autoritetet shëndetësore të Shulan thanë që në tre javët e fundit të prillit, 308 banorë të Shulan ishin kthyer nga Rusia përmes porteve Suifenhe dhe Manzhouli. Tetë u karantinuan në një spital të sëmundjeve infektive në Jilin, dhe 300 të tjerët u izoluan në qytetin Shulan, raportoi Daily News.

Në qytetin Wuhan, ku virusi kishte origjinën në fund të vitit të kaluar, autoritetet kineze raportuan gjithashtu pesë raste të reja të Dielën, numri më i madh i infeksioneve të reja të qytetit që nga 11 Marsi.

Autoritetet në Wuhan vendosën kufizime të rrepta në udhëtime dhe lëvizje, në ato që duket se kanë qenë një përpjekje e suksesshme për të shkatërruar shpërthimin.

Ky bllokim filloi të lehtësohej javët e fundit, pasi autoritetet thanë se sëmundja ishte nën kontroll, ku edhe fëmijët u lejuan të ktheheshin në shkollë dhe udhëtimi në dhe nga qyteti u lejua.

Në mediat sociale kineze shpërthimi i rasteve të reja shumë shpejt, ka ngjallur shqetësim.

“Ende duhet të marrim masa mbrojtëse, pesë raste janë vërtet të tmerrshme,” shkroi një përdorues në Weibo.

“Qeveria duhet t’i përgjigjet shqetësimeve sociale në kohën e duhur.”

“Unë u ndjeva pak i qetë dhe tani po fillon përsëri, dhe po filloj përsëri të kem panik”, shkroi një tjetër.

Kina ka raportuar gjithsej 82.918 raste të infektuarish dhe një numër vdekjesh prej 4,633.

Raportim nga Lillian Yang për The Guardian- Përktheu: Panorama

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit