Kur policia del në rrugë me uniformë, pritet të garantojë rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Kur një 19-vjeçar përfundon me këmbën e thyer dhe shfaqet në pamje duke u tërhequr zvarrë nga efektivët, pritet të ketë përgjigje për atë që ka ndodhur. Por Taulant Balla duket se ka një shqetësim që nuk mund të presë deri në përfundimin e hetimeve: imazhin e Policisë së Shtetit.
Në reagimin e tij për rastin e Ledion Ballës nga Librazhdi, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së kërkon që ngjarja të mos përdoret kundër policisë si institucion. Një mesazh që vjen pikërisht pas një proteste ku pamjet e përplasjeve, gazit lotsjellës, ujëhedhësve dhe ndërhyrjeve të efektivëve ndaj protestuesve kanë ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si u ushtrua forca.
Me sa duket, përpara se të bindemi se çfarë ndodhi me Ledionin, duhet të sigurohemi që të mos na prishet mendimi për policinë. Sikur imazhi i një institucioni të ishte një xham që thyhet nga publikimi i pamjeve, dhe jo diçka që vihet në provë nga vetë veprimet e atyre që mbajnë uniformën.
Por kush po e dëmton imazhin e Policisë së Shtetit: qytetarët që publikojnë pamjet, apo veprimet që shihen në to?
Sepse nuk është detyra e qytetarëve të ruajnë reputacionin e policisë duke heshtur për atë që shohin. Dhe nuk mjafton të thuhet se përgjegjësitë janë individuale, nëse më pas gjithçka mbyllet me një hetim që nuk i jep publikut përgjigje të qarta.
Nëse efektivët kanë vepruar drejt, le ta vërtetojë hetimi. Nëse kanë shkelur ligjin, le të mbajnë përgjegjësi. Kaq e thjeshtë duhet të jetë. Askush nuk po kërkon që një institucion i tërë të dënohet për veprimet e individëve, por as uniforma nuk mund të shërbejë si mburojë për ata që mund të kenë abuzuar me të.
Ironia është se, ndërsa një 19-vjeçar me këmbën e thyer është bërë objekt i një hetimi, qytetarëve u kujtohet të mos e përdorin rastin kundër imazhit të policisë. Por imazhi nuk dëmtohet nga pyetjet që kërkojnë përgjigje. Dëmtohet kur përgjigjet zëvendësohen me shqetësimin se si do të duket institucioni.
Policia nuk ka nevojë që qytetarët t’ia mbrojnë imazhin. Ka nevojë t’u japë arsye për t’i besuar. Dhe kjo nuk arrihet duke kërkuar kujdes me reputacionin, por duke treguar se askush nuk është mbi ligjin, as ata që e kanë detyrë ta zbatojnë.