Tavo "përvëlon" buxhetin e Himarës: 920 MLN lekë për godinën e zjarrfikëses

Tavo “përvëlon” buxhetin e Himarës: 920 MLN…

Një tjetër aferë e dyshimtë prokurimesh publike po konsumohet në Bashkinë e Himarës. Me bekimin e pushtetit lokal, dhjetëra miliona lekë nga taksat e qytetarëve po derdhen në xhepat e privatit përmes një procedure që mban të gjitha aromat e një gare të paracaktuar dhe të qepur me porosi.

Në tenderin me objekt “Ndërtimi i godinës së shërbimit MZSH” me numër reference REF-93607-07-16-2026 dhe fond limit prej 79,166,667.00 lekësh të reja pa TVSH, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve TOTILA SHPK dhe ZEQILLARI CONSTRUCTION SHPK. Vlera e ofertës fituese kap shifrën e 76,775,181.50 lekëve të rinj pa TVSH ose rreth 920 milionë lekë të vjetra me TVSH, duke përpirë pothuajse 97% të të gjithë fondit limit të vendosur në dispozicion.

  • Skema e “ofertës së vetme”: Dokumentet zyrtare zbulojnë se në këtë procedurë nuk ka pasur asnjë garë reale. Bashkimi i kompanive “TOTILA” dhe “ZEQILLARI CONSTRUCTION” ka qenë i vetmi pjesëmarrës në garë, duke marrë dritën e gjelbër pa u skualifikuar asnjë rival, për vetë faktin se konkurrenca ka qenë zero.
  • Përputhja e çmimit me fondin limit: Oferta prej 76.7 milionë lekësh të rinj është caktuar aq afër tavanit financiar të lejuar, saqë konfirmon skemën e zakonshme të prokurimeve shqiptare: faljen e tenderave publikë pa kursyer pothuajse asnjë qindarkë nga paratë e buxhetit.
  • Pronësia e kompanive: Sipas ekstrakteve të QKB-së, kompania “TOTILA SHPK” (NIPT: K13001010G) kontrollohet 100% nga shtetasi Jemin Toto, ndërsa “ZEQILLARI CONSTRUCTION SHPK” (NIPT: L61912024O) zotërohet 100% nga shtetasi Adriatik Zeqillari.

Njoftimi i fituesit mban firmën dhe vulën zyrtare me emrin e Kryetarit Vangjel Tavo, nënshkruar me delegim nga Sekretari i Përgjithshëm Pervin Gjikuria, duke zyrtarizuar kalimin e milionave te këto dy firma. Kjo procedurë hap pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si po menaxhohen fondet publike në Himarë, ku garat e hapura ekzistojnë vetëm në letrat e njoftimeve zyrtare, ndërsa në realitet tenderat mbyllen me një operator të vetëm në tryezë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit