Kompania dhe automjetet janë në pronësi të Franci Canajt, i arrestuar në qershor 2025 për plagosjen e një taksisti.Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar një tokë arë me sipërfaqe 2,000 metra katrorë, në zonën e Sharrës, Tiranë, në emër të shtetasit A.Ç. dhe në bashkëpronësi me një shtetase tjetër me inicialet A.Ç. Hetimi pasuror është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, që përfshin dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar drejt Evropës 28 tonë kokainë në dy episode të ndryshme, nga të cilat 17 tonë janë sekuestruar nga autoritetet.
SPAK bën me dije se organizata kriminale kishte shtrirje të gjerë ndërkombëtare dhe bashkëpunonte me grupe të tjera për transportimin e drogës drejt porteve evropiane, ndërsa fitimet dyshohet se investoheshin në prona dhe biznese brenda dhe jashtë Shqipërisë. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë, duke analizuar edhe të dhënat e komunikimeve të enkriptuara në platformën Sky ECC. Në kuadër të procedimit janë caktuar masa sigurimi personal ndaj 16 personave. SPAK thekson se të gjithë personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.