Të ardhurat e sektorit bankar nga komisionet rriten me 25%, arrijnë rekord këtë vit

Të ardhurat e sektorit bankar nga komisionet…

Të ardhurat e sektorit bankar nga komisionet kanë arritur një nivel rekord në këtë vit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të 9-mujorit, të ardhurat arritën vlerën e pothuajse 9.8 miliardë lekëve ose gati 80 milionë eurove. Vlera e të ardhurave nga komisionet është rritur me 25% krahasuar me një vit më parë

Sipas Monitor, vitin e kaluar, komisionet ishin një nga zërat që u goditën më shumë nga kriza e pandemisë. Kjo rënie u ndikua sidomos nga periudha tremujore e mbylljes së ekonomisë, që solli frenim të aktivitetit ekonomik dhe të shumicës së transaksioneve të pagesave. Nga ana tjetër, vetë bankat u detyruan të punojnë me orare të shkurtuara dhe me staf të kufizuar. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vendosi përkohësisht edhe heqjen e komisioneve për pagesat e kryera nga kanalet elektronike, me qëllim lehtësimin e transaksioneve në distancë. Të gjithë këta faktorë ndikuan në një ulje drastike dhe të ardhurat nga komisionet në nivelin më të ulët që prej vitit 2016. Megjithatë, këtë vit rimëkëmbja ka ardhur me ritme shumë të larta, duke ndjekur edhe kthimin në normalitet të aktivitetit ekonomik.

Shtimi i të ardhurave nga komisionet është një nga faktorët që ka ndihmuar në përmirësimin e rezultatit financiar të sektorit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin bankat realizuan një fitim neto në vlerën e 15.9 miliardë lekëve, 48% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbështetur në standardet lokale rregullatore të raportimit ky është fitimi më i lartë që prej vitit 2017; ndërsa mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar fitimi i sektorit bankar këtë vit është në nivelin më të lartë prej më shumë se një dekade.

Sektori bankar shqiptar historikisht ka pasur interesat si burimin kryesor të të ardhurave. Kjo lidhet me faktin që biznesi i bankave mbështetet kryesisht në produkte klasike, si huadhënia apo instrumentet e borxhit financiar. Por, në vitet e fundit ka një tentativë për të diversifikuar bazën e të ardhurave. Kjo pjesërisht është motivuar nga epoka e normave tejet të ulëta të interesit dhe nga rritja e kostove rregullatore.

Në vitet e fundit, ka pasur një tendencë për rritje të komisioneve fikse, kryesisht të atyre të lidhura me mirëmbajtjen e llogarive. Por, nga ana tjetër bankat po eksplorojnë edhe ofrimin e shërbimeve të reja, për të siguruar burime shtesë të ardhurash. Shembuj të tillë janë të ardhurat nga komisionet për shitjen e produkteve të sigurimit, nga shërbimet e lidhura me tregtimin e titujve për klientët, nga shërbimet e depozitarit për fondet e pensioneve dhe të investimeve, etj. Madje, së fundmi banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), mori licencë për ofrimin e shërbimit të investimeve në bursë, nëpërmjet një platforme online. /E.Shehu

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit