Të burgosurit tentojnë të sulmojnë vrasësin e Liridonës, parandalohet ngjarja

Të burgosurit tentojnë të sulmojnë vrasësin e…

Granit Plava vrasësi kryesor i Liridona Ademajt në Kosovë ka rënë pre e një sulmi nga të burgosurit e tjerë, gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.

Siç raportojnë mediat lokale, të burgosurit kanë tentuar ta sulmojnë, por një gjë e tillë nuk është lejuar nga gardistët e burgut. Në një reagim që ka bërë Ismail Dibrani me detyrë drejtor i Shërbimit Korrektues, ka mohuar që kjo gjë të ketë ndodhur duke thënë se nuk ka pasur konflikt fizik mes të burgosurve dhe Granit Plavës.

“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit me sulmu, stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka rrahje. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndjeshëm, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tani ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka thënë Dibrani.

Më herët ka pasur raportime se i burgosuri Plava ka tentuar të dëmtojë veten me anë të një litari që është gjetur në qelinë e tij, por edhe kjo gjë është mohuar nga Dibrani. Ky i fundit për rastin në fjalë thotë se Plavës nuk i është gjetur litar në qeli apo elementë të tjerë me të cilët mund t’i shkaktonte lëndime vetes.

“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi. Sepse këta persona po trajtohen me rrezikshmëri të lartë. Niveli i sigurisë është ngritur”, shprehet drejtori Dibrani.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit, Ismail Dibrani ka thënë se tre të burgosurit për atentatin ndaj Liridonës, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, janë të shpërndarë nëpër burgje të ndryshme ku nuk kanë kontakt me njëri-tjetrin.

“Në asnjë rrethanë, ka pasur informacione se kanë qenë në një dhomë. Të gjitha mediat e dinë që në Burgun e Sigurisë së Lartë, të gjitha dhomat janë 1-she, dhe nuk ka asnjë kontakt mes personave. Për shkaqe sigurie dhe për shkaqe se rasti është i ndjeshem kemi vendosur që këta persona t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, thotë Dibrani.

Në dosjen hetimore theksohet se rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur, ka dalë përpara automjetit i dyshuari Granit Plava dhe teksa i është afruar makinës, me plumb ka qëlluar për vdekjen Liridona Ademajn.

Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e zhvilluar disa ditë më parë, ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit