
Aktivistja Elona Caslli ka reaguar në lidhje me puntatën e fundit të emisionit “Pa gjurmë”, ku një nëne i njoftohet live në studio se vajza i kishte vdekur. Më saktë, një grua që jeton në Francë ka humbur kontaktet me të bijën prej muajsh. Herën e fundit që ka kontaktuar me të bijën, e bija ka qenë në Shqipëri. Pas shumë kërkimesh rezulton se e bija ka vdekur në një aksident në Shkozet. Këtë fakt e ka pohuar një teleshikues përmes një mesazhi.
Ky lajm i tmerrshëm i konfirmohet nënës ndërsa ajo ishte në një lidhje live me emisionin.Reagimet për këtë ngjarje kanë qenë të shumta dhe Kasali e konsideron si shkelje të normave njerëzore.
Përmes një postimi në Facebook ajo shprehet se është i tmerrshëm fakti se si prezantuesja e emisionit i kërkon nënës që të bëhet e fortë dhe të vazhdojë emisionin. Por ajo e fundit nuk e përballon dot këtë lajm të tmerrshëm dhe humbet ndjenjat.
“Unë nuk e di kush është skenaristi, regjisori apo bordi që ka miratuar formatin televiziv
” Pa gjurmë” në Report TV. Nuk e di as si quhet prezantuesja e këtij emisioni, ama një gjë e di me siguri se puntata e këtij emisioni ka shpartalluar çdo kod të etikës së gazetarisë dhe çdo normë njerëzore.
Gazetarja është në studio dhe nëna është në Francë. Gazetarja e di fort mirë që në fund të puntatës do t’i japë nënës lajmin e kobshëm se e bija i ka vdekur. Hap pas hapi gazetarja zbaton skenarin derisa vjen pika kulmore; Nê ekranin e madh shfaqet mesazhi i teleshikuesit që pohon vdekjen e vajzës 22 vjeçe.
E ëma e vajzës sapo dëgjon fjalën ‘aksident’ diçka parandien. Fillon të dridhet, të përlotet dhe mes lotëve dhe gati për t’i rënë të fikët nga Franca i lutet gazetares; Më thuaj nëse ka vdekur ose jo.
Gazetarja i thotë të bëhet e fortë se e bija ka vdekur. E ëma e vajzës plaset në tokë. Në sfond shihet një burrë që i shkon në ndihmë në banesën e saj. Aty ndërpritet lidhja dhe mbaron emisioni”, shkruan Caslli.
Më tutje e revoltuar ajo tregon se edhe në spitale mjekë kujdesen që lajmin e rëndë të mos ua tregojnë direkt familjarëve të pacientit. Sipas Casllit. Është edhe më e rëndë situata që një gjë e tillë ndodh live në një emision televiziv dhe askush nuk merr masa, por lejon transmetimin e tyre.
“Sa normale është t’i japësh një prindi lajmin e vdekjes së fëmijës në një studio televizive?! A duhej xhiruar puntata e këtij emisioni?! A nuk mund të shmangej prania e nënës kur lexohej mesazhi që lajmëronte vdekjen e së bijës?!Kemi shoqëruar të afërm në spital dhe kur doktori ka dhënë një lajm të keq e ka nisur bisedën me pyetjen : Çfarë e ke?!
Pra, lajmi i keq nuk i jepet menjëherë familjarit më të afërt, por dikujt tjetër në mënyrë që ky i fundit të përgatisë të afërmit për lajmin e keq. Kjo ndodh normalisht në korridoret e një spitali.
Në një studio televizive, përballë një ekrani të madh, në sytë e gjithë shqiptarëve lexohet me zë të lartë në praninë e një nëne mesazhi që pohon vdekjes e vajzës së saj 22 vjeçe.
Kjo është një shfaqje e turpshme e gazetarisë si dhe një vulë turpi mbi televizionin në fjalë.
Post Scriptum- Kishte dhjetëra mënyra për t’i përcjellë mbylljen e këtij historie publikut që e ndjek këtë emision, duke respektuar dhimbjen e një jete të shuar 22 vjeç dhe dhimbjen e pafundme të një nëne”, shprehet Elona Caslli.