Fshati Orizaj në Berat është në zi pas humbjes tragjike të 15-vjeçarit Fatjon Sadushi, i cili humbi jetën në ujërat e lumit Osum. Familja ka hapur dyert e mortit për t’i dhënë lamtumirën e fundit djalit të vetëm, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte mbytja.
Banorët e zonës kanë ngritur akuza ndaj autoriteteve vendore, duke pretenduar se ndërtimi i pritave lumore ka ndryshuar shtratin e lumit dhe ka krijuar gropa të thella me baltë, të cilat, sipas tyre, u bënë shkak që i mituri të mos arrinte të dilte në breg. Ata kërkojnë verifikimin e këtyre ndërhyrjeve dhe sqarimin e përgjegjësive.
Ngjarja ndodhi teksa 15-vjeçari po punonte në arë me të atin dhe kishte hyrë në lumë për t’u freskuar nga temperaturat e larta. Babai u hodh menjëherë në ujë për ta shpëtuar, por nuk arriti ta nxirrte të gjallë. Sot, mes dhimbjes së familjarëve, shokëve dhe banorëve të zonës, Fatjon Sadushi u përcoll për në banesën e fundit.