Të prekurit me Covid testoheshin me shpenzimet e veta, më fitimprurëset në pandemi ishin laboratorët

Të prekurit me Covid testoheshin me shpenzimet…

Pasojat e pandemisë ishin tejet të mëdha, ndërsa ka favorizuar disa laboratorë, ku kërkesa për tu testuar ka qenë përtej së zakonshmes. Në raportin e publikuar nga shoqata “Together for Life” gjeti se, në vitin 2020 përfituan rimbursim vetëm 1,708 persona, për të cilët u shpenzuan 6.3 milionë lekë (51.3 mijë euro). Ndërsa gjatë periudhës janar-maj të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi 5632 receta me diagnozën “COVID-19”, kundrejt një vlere prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë euro).

Sipas Monitor,të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importet e medikamenteve tregojnë se shtesa e barnave të importuara në nëntor 2020 – prill 2021 është rreth 30 milionë euro (pa përfshirë importet e vaksinave), një pjesë e konsiderueshme e së cilës është paguar nga xhepi për kurimin e pasojave që la COVID-19 në shëndetin e popullatës. Për trajtimin e COVID-19, përshkrimin më të lartë nga mjekët e kanë pasur barnat antivirale, antibiotikët, kortizonikët, vitaminat, si dhe antikoagulantët.

“Viti 2020 ka qenë një sfidë për të gjithë industritë, përfshirë dhe sektorin mjekësor ku kompania jonë operon. Ndër sfidat kryesore mund të përmendim shtimin e papritur të kërkesës së produkteve specifike në diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19, për të cilat si prodhuesit, por edhe ne si distributor, nuk ishim të përgatitur për kërkesën ekstreme si në sasi, edhe në kohën për t’i përmbushur këto kërkesa”, thotë Elona Saraçi, administratore e “Evita”, sipërmarrje e cila vepron në tregun e produkteve farmaceutike e pajisjeve të laboratorëve.

Ajo shton se kërkesa për shërbimet e laboratorit ka qenë përtej së zakonshmes, veçanërisht për teste diagnostikuese për SARS‑CoV‑2, si dhe kite laboratorike për testet rutinë në ndjekjen e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Të dhënat e analizuara nga bilancet tregojnë se kompanitë më fitimprurëse në sektorin e shëndetësisë në 2020-n ishin laboratorët mjekësorë, pas shpenzimeve të larta të qytetarëve për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes.

“Intermedica center”, laboratori më i madh privat në vend trefishoi fitimet në 318 milionë lekë. Edhe norma e kthimit u dyfishua nga 15% në gati 32%.

“Genius Lab”, në vitin e plotë të dytë të aktivitetit, pesëfishoi xhiron, në 535 milionë lekë, gjysma e të cilave ishin fitim (norma 50.3%).

Shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, me aktivitet në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike, rriti të ardhurat me 72%, në 1.8 miliardë lekë në 2020-n, ndërsa fitimet u katërfishuan në 251 milionë lekë (normë 13.6%). Kompania furnizoi spitalet me oksigjen, por edhe klientët privatë që e morën këtë shërbim në shtëpi.

Pjesa më e madhe e depove të mëdha farmaceutike panë një shtim dyshifror të të ardhurave në 2020-n, por fitimet e tyre nuk u rritën me të njëjtat ritme. Kjo tendencë, sipas operatorëve, u ndikua nga shtimi i shpenzimeve të tjera të lidhura me mbarëvajtjen ditore të aktivitetit, për shkak të pandemisë.

Për pjesën më të madhe të tregtuesve me shumicë të farmaceutikës, normat e fitimit u luhatën nga 4.7% në 7.2%, pa shumë ndryshime nga viti i mëparshëm.

Spitalet po u afrohen fitimeve

Tetë vjet nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje të larta. Por, në 2019-2020, humbjet u reduktuan në nivele minimale, duke iu afruar pikës së kthesës. Aktiviteti i spitaleve private ishte me rritje në 2020-n, teksa rënia e shërbimeve dhe operacioneve të planifikuara, si rrjedhojë e kufizimeve të pandemisë, u kompensua muajt e fundit me shtrimet e pacientëve që u kuruan për COVID-19.

“Spitali Amerikan”, më i madhi privat në vend, raportoi të ardhura prej 6 miliardë lekësh, me një rritje prej 10.7% me bazë vjetore. Humbjet ishin në nivelin e 24 milionë lekëve (nga 22 milionë lekë vitin e mëparshëm dhe shumë më të ulëta se në 2018-n, kur ishin 168 milionë lekë.

“International Hospital” (ish-Hygeia), që në mes të vitit 2018 u ble nga “Spitali Amerikan”, raportoi në 2020-n një qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, me rritje prej 4.4% me bazë vjetore. Humbjet u rritën lehtë në 52 milionë lekë, por gjithsesi mbeten shumë më të ulëta se niveli i 2017-2018, kur ishin mbi 400 milionë lekë.

“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 450 milionë lekë të ardhura, me rritje 4.4% me bazë vjetore në vitin 2020. Humbjet ishin rreth 32 milionë lekë, shumë më të ulëta se kulmi prej -482 milionë lekësh në vitin 2018.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit