
Të rinjtë në timon janë një kërcënim për jetën e qytetarëve. E premtja u mbyll me tre aksidente të rënda me pasojë vdekjen e tre qytetarëve. Ngjarja e parë, që rezultoi fatale, u shënua në orët e para të mëngjesit në unazën e Shkozetit. Një 32-vjeçar që qarkullonte me një automjet përplasi një person që lëvizte me biçikletë. 50-vjeçari si pasojë e përplasjes humbi jetën duke mos u mbijetuar plagëve të marra. Dy aksidentet e tjera ndodhën në Elbasan dhe Kuçovë, ku humbën jetën dy qytetarë.
Në fshatin Tapi në qytetin e Kuçovës, u përplas për vdekje një 67-vjeçar që qarkullonte në anë të rrugës me biçikletë. Ai u aksidentuar nga një 21-vjeçar, i cili po drejtonte një mjet tip Audi, rreth orës 17:30. Ndonëse në një zonë të banuar, i riu qarkullonte me një shpejtësi tej normave të lejuara.
Ndërkohë rreth orës 19:35, në unazën e qytetit të Elbasanit, një automjet që drejtohej nga një 20-vjeçar aksidentoi një 74-vjeçar, i cili për pasojë ndërroi jetë gjatë transportimit me ambulancë, në spital. Dëshira e të rinjve për të ndier adrenalinë në timon po reyulton vdejeprurëse për kalimtarët e pambrojtur nga kjo çmenduri.
Këto janë raste të përsëritura ku të rinjtë po aksidentojnë shumë të moshuar, fëmijë apo edhe kalimtarë të ndryshëm. Ky është një alarm për institucionet, të cilat ende nuk kanë vendosur rregullat e duhura për të rregulluar sjelljen e shoferëve në timon. E më të rreyikshmit janë ata të rinjë të cilët drejtojnë një mjet sapo kanë marrë patentën . Po ashtu kujtojmë sesi në autostradën Levan-Vlorë, një familje shqiptare që vinte nga Greqia për pushime u shua pasi një i ri i goditi nga mbrapa me një mjet tip audi.
Sikur të mos mjaftonin këto raste, drejtori i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe ka kërkuar uljen e moshës për marrjen e patenës, nga 18 vjeç që është aktualisht, në 17 vjeç. Një nismë që mund të rezultojë e rrezikshme për sa kohë rrugët po përgjaken çdo ditë e më shumë. Statistikisht, aksidentet më të mëdha, e me pasoja për jetën, shkaktohen pikërisht nga shoferët e grupmoshës 18 vjeç deri në 30 vjeç.
Institucionet flenë, duke mbajtur shënim statistikat e aksidenteve dhe jetëve të humbura, teksa rrugët, sinjalistika dhe sjellja e drejtuesëve të mjeteve është një alarm gjithmonë në rritje.