Të shtëna me armë në një qendër tregtare në SHBA/ 9 të vdekur, mes tyre edhe agresori

Të shtëna me armë në një qendër…

Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe shtatë janë plagosur deri më tani pasi një person i armatosur hapi zjarr në një qendër tregtare në Allen, Teksas, përpara se të qëllohej për vdekje nga një oficer policie.

Personi i armatosur po ecte ngadalë në trotuar dhe qëllonte pa dallim, tha një dëshmitar okular për televizionin WFAA. Videot e shpërndara në mediat sociale treguan klientët duke ikur nga dyqanet ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri.

Dhjetra klientë dhe punonjës u shoqëruan nga policia në dalje të qendrës tregtare të zbritjeve Allen Premium Outlets, e cila ka rreth 120 dyqane dhe ndodhet 40 kilometra në verilindje të Dallasit.

Motivi i sulmuesit, i cili besohet se ka vepruar i vetëm, mbetet i paqartë, tha shefi i policisë Allen, Brian Harvey në një konferencë shtypi.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott siguroi se autoritetet shtetërore janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme nga shërbimet në qytetin e Allen.

Sulmet me armë janë një plagë në SHBA, ku ka pasur 198 të shtëna masive që nga fillimi i vitit, sipas uebsajtit të specializuar Gun Violence Archive. Ky numër është më i larti i regjistruar (në këtë periudhë të vitit) që nga viti 2016./BBC

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit