Të shtëna me armë zjarri në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Dyshohet se në konflikt janë përfshirë 3 efektivë policie dhe disa persona civilë.
Nga të shtënat ka dëme materiale nëpër automjete.
Disa persona janë dëmtuar me grushte e sende të forta dhe kanë marrë mjekim në spital.
Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes ndërsa në bashkëpunim me AMP po zhvillon hetime për rastin.
NJOFTIMI ZYRTAR
Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.
Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.
Në Komisariatin e Policisë janë shoqëruar gjithashtu disa prej shtetasve të përfshirë në konflikt, përfshirë punonjësit e Policisë jashtë shërbimit. Vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e të gjithë shtetasve të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor dhe AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.