Te shtënat me armë drejt kompleksit, zbardhen detaje nga ngjarja e mistershme në Tiranë

Te shtënat me armë drejt kompleksit, zbardhen…

Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me breshëri në drejtim të një kompleksi në Yrshek, ku fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por dëme të mëdha materiale.

Mësohet se bëhet fjalë për kompleksin “Eiffel” që gjendet në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, e cila është në pronësi të Enver Çaushit 49-vjeç. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, rreth orës 00:30, ku fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Pronari i këtij biznesi, Enver Çaushi ka deklaruar se shenjestër nuk ka qenë kompleksi i tij, por ndonjë nga banesat përreth. Ajo që vihet re është se pavarësisht se ky biznes ka qenë pre e një sulmi me armë, qytetarët e kanë frekuentuar atë njësoj sikur askush të mos kishte ndodhur.

Kush është Enver Çaushi?

Enver Çaushi, pronari i kompleksit që u qëllua me breshëri arme gjatë mesnatës, mësohet se është daja i Elton Deliut, të vrarë në Tiranë dy ditë para ndërrimit të viteve. Vrasja është kryer brenda apartamentit të tij, ku e vdekur ka mbetur dhe nëna e tij.

Është pikërisht kjo ngjarje e ndodhur në 2008, për të cilën po hetohet nëse ka lidhje me breshërinë e armëve të regjistruara pak pas mesnate në biznesin e Çaushit.

Ngjarja në vitin 2008

Elton Deliu dhe nëna e tij, Flutura Deliu, u ekzekutuan me 11 plumba në banesën e tyre më 27 dhjetor 2008. Vrasja ndodhi rreth orës 15:00, në ambientet e brendshme të apartamentit të tyre, që ndodhej në katin e gjashtë, në pallatin mbrapa Presidencës, në rrugën “Perlat Rexhepi”.

Mendohet se fillimisht, autorët e krimit mafioz goditën me një plumb në kokë të ëmën, Flutura Deliu, 52 vjeçe, dhe më pas qëlluan me plumba 32-vjeçarin. Vrasësit thuhet se kanë qenë dy, dhe kanë qëlluar 11 herë.

Atëherë policia mori në pyetje të fejuarën e Elton Deliut, e cila mendohet se ka qenë njeriu i fundit që e pa gjallë. Ajo ka treguar se ishin kthyer me makinë për në shtëpi dhe pasi kanë parkuar mjetin, Eltoni është ngjitur lart me ashensor, ndërsa ajo, duke qenë se ashensori ishte i bllokuar, është ngjitur nga shkallët. Në momentin që ka qenë përballë derës së apartamentit të tyre, ka parë Eltonin që po mbahej në derë dhe që ishte i plagosur.

Ai i ka thënë që e kishin qëlluar dhe i kishte kërkuar ndihmë për të lajmëruar ambulancën, por nuk ka mundur të japë asnjë shpjegim në lidhje me autorët, pasi ka vdekur në vend nga plagët e shumta që kishte marrë.

Ndërkohë, gati një dekadë pas vrasjes së Eltonit dhe nënës së tij në apartamentin ku banonin të afërmit e tij, vazhdojnë gjyqet për llogaritë bankare që Deliu kishte krijuar, konkretisht për marrjen e 260 mijë dollarëve nga gjyshi i Eltonit në llogarinë e nipit të vrarë. Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm Adem Çaushin, por ky vendim pritet të apelohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kërkoi gjykatës dënimin e të moshuarit me 5 vite burgim.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit