Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me të shtënat e raportuara mbrëmjen e së shtunës në Pukë, ku fillimisht u raportua se personat që dyshohej se kultivonin kanabis kishin qëlluar me armë ndaj policisë.
Por, sipas reagimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur ndryshe nga sa u raportua fillimisht, teksa incidenti është regjistruar në fshatin Kodërbojë, gjatë kontrollit të një parcele ku ishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike.
Sipas Policisë, efektivët kanë konstatuar një person të armatosur në terren. Kur ka parë uniformat blu, ai është larguar me shpejtësi dhe nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.
Në këto rrethana, një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim paralajmërimin e personit. Pavarësisht kësaj, i armatosuri ka mundur të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor.
Ndërkohë, në terren vijojnë kontrollet për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Në operacion janë angazhuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcave Kombëtare të Sigurisë.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Pra, ndryshe nga informacioni paraprak i raportuar fillimisht, sipas Policisë të shtënat nuk kanë ardhur nga personat e dyshuar për kultivimin e kanabisit, por nga një efektiv policie, i cili qëlloi në ajër për të paralajmëruar personin e armatosur.