Teatri që fundosi një kryeministër!

Teatri që fundosi një kryeministër!

Nga Armand Maho 

Edi Rama me siguri, nuk e kishte pritur se pas urdhrit të tij për shembjen e Teatrit Kombëtar, me rruspa e fadroma, në orën 4 e 30 të mëngjesit të 17 Majit, do të ngrihej një re kaq e madhe, sa do t’i ulte atij kuotat ndoshta në minimumin historik.

Ai me gjasë nuk e kishte pritur këtë reagim qytetar dhe ndërkombëtar. Teatri rezultoi se ishte një kauzë shumë herë më e madhe se ajo e Astirit. Mediat ndërkombëtare e kryqëzuan, ndërsa partnerët me të cilët mburrej dhe ecte para se kishte mbështetjen e tyre, shprehën keqardhje.

Fadroma e IKMT që goditi fasadën e Teatrit Kombëtar, ndezi suferinën e një dimri politik, që ai me të gjitha forcat po rreket ta fusë në hullitë e batutave që nuk bindin më njeri. Ka humbur të rinjtë por dhe një pjesë të mirë të ithtarëve të tij, sidomos të qytetarëve të Tiranës. Shumë pak kanë mbetur ata që me pahir e mbështesin e në këtë narrative, që ai vetë thotë se kish nisur që para 22 vjetësh.

Gazeta MAPO bën një përmbledhje dhe analizë të asaj çka ndodhi me Teatrin Kombëtar.

Pakënaqësia është e madhe. Pamjet e egërsisë me të cilën fadroma e IKMT shembi ballinën e Teatrit Kombëtar, bënë të përloteshin shumë njerëz, përkrahës ose jo të mazhorancës aktuale. Në bisedat mes tyre rrallë dëgjon njeri që ua ka vënë veshin atyre që thotë Rama apo Veliaj në arsenalin linguistik me të cilën sulmojnë një godinë të ngritur që në vitin 1939. Vetë kryeministri ngjan se nuk e kish pritur këtë reagim qytetar.

Ndoshta në mendjen e tij, ka pritur ndonjë rrokopujë të lehtë të ngjashme me prishjen e ndërtesave në Astir, ku, megjithëse afera korruptive është e madhe, sërish opinion publik qëndroi i ndarë mes atyre që kishin ngritur banesat pa leje dhe të drejtës për të pasur një të mirë publike, siç është zgjerimi i rrugës. Ideja fikse e Ramës që prej 22 vjetësh, për ta shembur teatrin në të gdhirë, mori një përgjigje të pazakontë kur qindra njerëz pavarësisht orës së pazakontë u drejtuan atje ku ishte godina.

Dhuna e policisë ndaj protestuesve që kundërshtonin fort aferën mbi të cilën ishte ngritur fabula e prishjes së teatrit, ofronte një pamje aspak të këndshme. Shfaqja në kohë reale të asaj çka po ndodhte, u solli në mendje shqiptarëve një kohë të errët, kur shteti i diktaturës, me sjellje banditi shembte objektet e kultit. Kurba e mbështetjes ndaj kryeministri mori një krisje të fortë.

Askush s’e besonte se pavarësisht debateve që zgjasnin prej më shumë se dy vjetësh, ai do e prishte Teatrin Kombëtar, të paktën jo në këtë formë. Edhe ithtari më i madh i tij (Ramës), s’mund ta çonte në mend, se tërë ajo egërsi ndaj asaj godine, dëshmitare e historisë së këtij vendi, bëhej për qëllime të sinqerta. Nxjerrja e Erion Veliajt, disa orë më pas, që kish hequr veshjen “casual” të njeriut të punës, duke u shfaqur me një xhaketë të zezë si për ceremoni mortore, vetëm sa i hodhi më shumë benzinë zjarrit. Thirrja e tij me zërin e kadifenjtë për t’u përqafuar, ngjante si ajo e “doracit” që shkon për të ngushëlluar familjen e viktimës.

Duke kuptuar se kish humbur shumë, Rama e urdhëron Veliajn të bëjë cedimin e parë, duke premtuar se e gjithë sipërfaqja do ishte në funksion të teatrit. Por ishte shumë vonë! Mediat ndërkombëtare, në sinkron po shfaqnin habinë dhe dyshimet se prishja e godinës historike dhe zëvendësimi me projektin futurist “alla Lady Gaga” të Bjarke Ingels kishte prapavijë korruptive, duke e vizatuar Ramën si një autokrat që po rrënon trashëgiminë kulturore në kohë pandemie.

Atë mëngjes të 17 majit atë s’mund ta ndihmonte më asgjë! As aftësia për t’u artikuluar, as veshja ekstravagante që gjithsesi i kish shërbyer jo pak në qeverisjen e tij si varkë shpëtimi. Bashkë me Teatrin nën rrënoja ishte varrosur dhe imazhi i ngritur me aq mund nga makina e tij propagandistike nën moton “punë hiç e fjalë shumë”. Ato rrënoja, kurdisën së prapthi tik-takun e orës së pushtetit të tij.

Mediat

Shembja e Teatrit Kombëtar i kaloi shpejt kufijtë fizikë dhe mediatikë të Shqipërisë. New York Times, Washington Post, Francë 24, Zëri i Amerikës, apo dhe “Le iene”, Reuters, media më e rëndësishme gjermane, liberation franceze, BBC, e shumë të tjera raportuan për dhunën në Tiranë. “Shembja e Teatrit nxit revolta në Tiranë” ishte titulli i Reuters.

“Duke shkelur urdhrin për mosmbajtje të tubimeve masive për shkak të coronavirusit, disa mijëra njerëz u mblodhën pranë vendndodhjes së teatrit, për të mbështetur artistët në protestën e tyre kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama”-shkruan Associated Press.

“Teatri u shemb të dielën pavarësisht protestave. Policia largoi një grup artistësh dhe liderë të opozitës nga teatri para se të niste shembja. Aleanca për mbrojtjen e teatrit ka kërkuar restaurimin e ndërtesës së vjetër të teatrit, të cilën e konsiderojnë një trashëgimi kombëtare. Lideri i partisë kryesore opozitare PD dënoi shembjen e teatrit dhe e cilësoi si krim makabër dhe dhunë flagrante ndaj Kushtetutës dhe Ligjit. Gjithashtu, protestuesit u shprehën edhe kundër masave të marra në kuadër të coronavirusit”– bënte të ditur e përditshmja Washington Post.

Por akoma më të forta ishin reagimet e mediave të shkruara, në komentet e tyre post shembjes së Teatrit. Adelheid Wölfl, gazetarja e prestigjiozes “Der Standard” të Austrisë, në artikullin me titull “Grusht shteti në Kohën e Koronës” e komenton kështu sjelljen e Ramës.

“Në fakt, aksioni në rastin e Teatrit Kombëtar në Tiranë po rikujton fuqimisht veprimin e ndërmarrë nga autoritetet serbe, të cilët në prill 2016, gjithashtu gjatë natës, shkatërruan disa ndërtesa në rrethin e vjetër Savamala në Beograd. Njeriu “i fortë” i Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe njeriu “i fortë” i Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama, janë gjithashtu famëkeq në fusha të tjera për sjelljen e tyre autokratike në rajon. Dhe sigurisht që Rama e dinte që gjatë pandemisë, ku zbatohen kufizime të rrepta të daljes, nuk ka ndonjë rezistencë nga popullata – dhe për këtë arsye është më e lehtë për të zbatuar vullnetin e tij”.

Një nga gazetat më të mëdha gjermane, Frankfurter Allemaine Zeittung e konsideron një “krim moral” shembjen e teatrit Kombëtar.

“Protestuesit nuk u ngushëlluan as nga planet impresive për një godinë të re, me një skenë të hapur në çati, të projektuar nga arkitekti danez, Bjarne Ingels. Ata mendojnë se ky është fillimi i instalimit të një diktature. Teatri është bërë simbol i rezistencës ndaj arbitraritetit të perceptuar të qeverisë. Konflikti është po ashtu një simptomë e një ndarje të thellë të Shqipërisë përgjatë vijave partiake”, thuhet në artikullin e datës 19 maj.

“Të Dielën, autoritetet zgjodhën të shkátërrojnë Teatrin e vjetër në Tiranë, në mes të natës dhe në mes të një pándemie. E pafalshme për mijëra shqiptarë, të cilët pròtestuan përsëri të mërkurën, kundër rritjes së pandalshme të diktáturës në Shqipëri. Në një atmosferë të rèndë, të shtyrë prej zemèrimit dhe tríshtimit, me qindra shqiptarë, shpesh me parulla, nga të gjitha rrugët, u bashkuan në qendër të Tiranës”, shkruan Liberation, një gazetë franceze e orientuar majtas.

Partnerët

Por indinjata nuk ka munguar dhe te partnerët ndërkombëtar të Shqipërisë. Natyrisht, shembja e një objekti të trashëgimisë kulturore, nuk është në pajtueshmëri me vlerat që mundohet të promovojë Bashkimi Europian. Rama ishte paralajmëruar më parë dhe nga Komisionerja për Kulturën në KE që mos e shembte teatrin, por të niste një gjuhë dialogu me artistët.

KE i mëshoi më fort këtij qëndrimi kur tha se: “Teatri u shemb kur ne kërkuam dialog. Shprehim keqardhje që thirrja jonë nuk u dëgjua nga autoritetet”. Pak orë pas shembjes, reagoi Organizata Europa Nostra, e cila e konsideroi 17 majin si “ditën më të trishtë për trashëgiminë kulturore dhe sundimin e ligjit”.

Sekretarja e përgjithshme e kësaj organizate Mihailoviç iu kërkoi vendeve të BE-së të dënonin shembjen e godinës. Deklarata u shoqërua me një mori reagimesh, nga ambasadat dhe organizmat e BE-së. Europarlamentarët Michael Gahler dhe David Lega i kërkuan kryeministrit Rama të ndalojë prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe dhunën ndaj protestuesve.

Ndërkohë, europarlamentarja Ramona Strugariu, e konsideroi prishjen e Teatrit Kombëtar si krim kundër trashëgimisë kulturore. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU-së , Johann Wadephul vuri në pikëpyetje hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Unioni Ndërkombëtar Demokrat (IDU) dënoi shembjen e Teatrit Kombëtar nga qeveria shqiptare në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme.

Zyra në Shqipëri e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS) lëshoi një raport që përshkruan rritjen alarmante të autoritarizmit në vend gjatë pandemisë koronavirus, e cila kulmoi në operacionin e prishjes së Teatrit Kombëtar. Ambasada britanike shprehu shqetësimin e humbjes së mundësisë për dialog në rastin e Teatrit Kombëtar dhe mbështet protestat paqësore. Kjo thirrje u mbështet dhe nga ambasadorja e Suedisë Elsa Hastad.

Ndërkohë, ambasadori gjerman Peter Zingraf shprehu shqetësim se shembja e Teatrit Kombëtar ishte e nxituar. Zëvendëspresidenti i Partive Popullore Europiane (PPE) Andrey Kovatchev deklaroi se veprimet e fundit të qeverisë janë të diskutueshme dhe dhuna ndaj protestuesve ‘është për të ardhur keq’.

Vetë kryetari i PPE-së Donald Tusk me anë të një postimi në Twitter do shprehej: “Dënoj shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, të dielën, një akt kundër vlerave europiane, si ruajtja e trashëgimisë kulturore, shteti i së drejtës dhe dialogu transparent. Intimidimi dhe përdorimi i dhunës kundër protestuesve, shoqërisë civile, artistëve, si dhe politikanëve të opozitës është i papranueshëm. Sundimi i ligjit, pavarësia dhe liria e medias, si dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbizotërojnë për perspektivën europiane të Shqipërisë. Shpreh mbështetjen time për PD në luftën e saj demokratike për një Shqipëri më të mirë”.

“Tërmeti” i zërave në unison i organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare që dënojnë këtë veprim, do kish tronditur themelet e çdo qeverie me themele shumë herë më të forta se ajo e Edi Ramës.

Profecia e një artisti për “varrin politik”

Vetë kryeministri u hodh menjëherë në aksion. Gërmadha e Teatrit, po përmbushte një “profeci” të Aktivistëve të Aleancës për Teatrin, kur një prej eksponentëve kryesorë të saj artisti Neritan Liçaj kish deklaruar se “teatri do kthehej në varrin politik të Ramës dhe Veliajt”.

Daljet e kryebashkiakut, i cili mori përsipër aktin, nuk ngjisnin në opinionin publik. Pavarësisht toneve të zbutura, që s’i përngjanin më toneve të luftës së para shembjeve, duket se s’po e ndalnin dot erozionin elektoral, që po e gërryente pushtetin e tij nga themelet.

Mbështetja ndërkombëtare me të cilën ai mburrej dhe rrihte gjoksin ishte venitur në disa vende, dhe kishte humbur në vende të tjera. Por tashmë ishte koha që të shpëtonte ç’të mundte nga mbështetësit e tij. Edhe rrekjet për t’ia hedhur fajin paraardhësit të tij që sipas kryeministrit kish pasur ndërmend ta prishte me anë të një “biznesmeni pranë tij” ishte si “të rrihje ujë në hava”.

Duhej një premtim konkret, dhe atë ai do e hidhte për konsum mediatik nga salla e parlamentit kur tha se “teatri do të ndërtohej por në një vend tjetër”, por në një vend andej nga Bulevardi i Ri në afërsi të Paskuqanit, një zonë informale në rrethinat e Tiranës. Më tej, në një dalje për mediat duke u ngritur në këmbë para një paneli gazetarësh dhe vënë dorën në zemër u betua se në zonën e Teatrit nuk do ketë kulla.

Një premtim ky që rrëzon të gjithë luftën politike të bërë në dy vjet prej tij. Kullat ishin indicia, ato ishin qëllimi, dhe kjo kthesë në vendimmarrje s’do ketë qenë e lehtë për të, por jo aq e vështirë sa humbja e pushtetit. E megjithatë është vonë. Kryeministri ndoshta do të donte që “stalla e kuajve”, apo “vendi i orgjive për ushtarët italianë” siç e kish etiketuar “shqytari” i tij në Bashkinë e Tiranës të mos shembej, dhe kjo valë zemërimi që ajo la pas të ndalej. Por ajo që u bë nuk mund të zhbëhet më.

Kova e asaj fadrome, që u ngul në fasadën e asaj ndërtese rrëzoi perden në sytë e atyre që besuan tek ai në vitin 2013 dhe më pas. Pjesën e shëndoshë të opinionit publik e ka humbur prej kohësh, bashkë me të dhe një pjesë të rinisë, ku ai mbështetej fort, por tashmë ka humbur dhe ithtarët politik. Rrëzimi i asaj fasade, ndezi suferinën e dimrit më të madh politik që nga viti 1998. Ish-politikani “trendy” u shndërrua në një nga autokratët më të mëdhenj të epokës postkomuniste.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit