Telefoni po “vret” fëmijët, u krijon probleme me sytë dhe të folurin

Telefoni po “vret” fëmijët, u krijon probleme…


Përdorimi i telefonit që në moshë të hershme po shkakton probleme shumë të mëdha tek fëmijët. Sipas të dhënave që vijnë nga programi i depistimit të fëmijëve për shikimin, 1 në 3 të mitur, kanë probleme me sytë. Ky problem, po vjen gjithmonë dhe në rritje, ndaj okulistët u bëjnë apel prindërve që të mbajnë të vegjlit e tyre sa më larg pajisjeve elektronike dhe televizorit.

Edhe në praktikën e përditshme, shihet një shtim i problemit të shikimit tek moshat e vogla dhe të reja. Më e shfaqur është miopia, apo problemi në shikimin larg. Problematikat në rritje me shikimin, specialistët e lidhin me përdorimin për një kohë të gjatë me pajisjet teknologjike. Për të evituar problemet me shikimin, përveç rasteve të trashëguara, specialistët rekomandojnë kufizimin të përdorimit të telefonave dhe tabletave, si dhe shmangien e qëndrimit për orë të tëra përpara televizorit.


Por problemet me shikimin nuk janë të vetmet. Fëmijët në moshë më të vogël, kanë shfaqur probleme edhe me të folurin. Përdorimi i gjatë në telefon dhe moskomunikimi me prindërit, ka bërë që kërkesat për ndihmën e logopedëve të vijnë gjithnjë e në rritje. Edhe agresiviteti, është rritur ndjeshëm tek të miturit, që shohin shumë gjatë video në telefon dhe pa kontroll. Përdorimi i TV dhe telefonit gjithashtu po rrit edhe obezitetin. Kjo problematikë që ka qenë më e përhapur në SHBA dhe Europë, tashmë ka ardhur edhe në Shqipëri.


Prindërit, duke mos e ditur të gjithë rrezikun që po u kanoset të vegjëlve të tyre, nuk po marrin asnjë masë për të parandaluar këto probleme. Edhe psikologët, kërkojnë që të merren masa dhe përdorimi i telefonit tek të miturit të jetë sa i reduktuar dhe për qëllime më specifike.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit