Temperaturë, kollë dhe dobësi kronike, Vikingët në alarm para ndeshjes me Anglinë

Temperaturë, kollë dhe dobësi kronike, Vikingët në…

Alarmet në kampin norvegjez janë shtuar ndërsa skuadra përgatitet për çerekfinalen historike të Botërorit 2026 ndaj Anglisë. Në orët e fundit, media britanike dhe disa televizione ndërkombëtare raportuan për një situatë të rëndë në ekipin skandinav, duke aluduar për helmim ushqimor apo virus intestinal që mund të ndikonte ndjeshëm në formacion.

Megjithatë, burime pranë ekipit bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për helmim ushqimi. Problemi lidhet me një virus gripal që ka prekur disa pjesëtarë të delegacionit norvegjez, duke shkaktuar temperaturë, lodhje dhe kollë.

Mes lojtarëve të prekur kanë qenë sulmuesi Strand Larsen, i cili tashmë është rikthyer në stërvitje pasi i është ulur temperatura, si dhe mbrojtësi Pedersen, që është izoluar në hotel për arsye parandaluese. Edhe trajneri Ståle Solbakken pranoi në konferencën për shtyp se nuk ka kaluar ditët më të mira.

“E lashë stafin të festonte pas ndeshjes me Brazilin. Isha shumë i lodhur dhe shkova direkt në shtrat”, u shpreh Solbakken.

Lajmi më i mirë për norvegjezët mbetet gjendja e Erling Haaland. Sulmuesi i Manchester City, autor i dy golave ndaj Brazilit në fazën e kaluar, nuk ka shfaqur asnjë simptomë dhe po stërvitet normalisht për sfidën që do të luhet në Miami.

Në Federatën Norvegjeze të Futbollit ka pasur gjithashtu pakënaqësi ndaj zhurmës së krijuar në mediat angleze, e cila po shihet si një përpjekje për të ushtruar presion psikologjik para çerekfinales.

Ndërkohë, Anglia po e përgatit ndeshjen me seriozitet maksimal. Thomas Tuchel dhe lojtarët e tij e dinë se Norvegjia mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm, sidomos kur në fushë është një Haaland në formë të shkëlqyer.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit