Tenderi 2.8 miliard/ Kush gënjen Sandër Lleshaj apo Plarent Ndreca?

Tenderi 2.8 miliard/ Kush gënjen Sandër Lleshaj…

Një lojë ping-pongu mes ish-Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ish-Sekretarit të Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca nisi menjëherë pasi SPAK arrestoi 9 zyrtarët, që firmosën për tenderin e uniformave.

2.8 miliard lekë për veshjen e policëve, që çuan në burg ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, Edlira Naqellari kanë ngritur një pyetje: A mund të tenderohej një shumë aq e madhe parash, pa dijeninë e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme?

Si Sandër Lleshaj, ashtu edhe Plarent Ndreca, thonë se nuk dinë gjë.

Pasditen e së dielës, Lleshaj shpërndau një reagim për mediat, në të cilën shprehej:

“Unë personalisht kam kërkuar publikisht nga foltorja e Kuvendit në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshendetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me të janë për t’u refuzuar. Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha kurrfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedurë konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve te Përqëndruara, përfshirë natyrisht edhe atë për uniformat e Policisë së Shtetit. Sistemi i prokurimit në Shqiperi ka autoritetet e veta te administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol” – tha Lleshaj.

Ish-sekretari i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndrecaj reagoi një ditë pas Lleshajt. Edhe ai tha se nuk dinte asgjë. Në një dalje në A2, u distancua nga abuzimi:

“Unë nuk kam pasur dijeni mbi procedurat konkrete, pasi procedurat konkrete ndiqen nga një agjenci e krijuar me VKM të posacme, e cila ndjek të gjitha procedurat e prokurimeve në mënyrë të përëndruar për të gjithë institucionet shtetërore, jo vetëm për Ministrinë e Brendshme. Pra, unë nuk kam pasur dijeni proceduriale, për hapat proceduriale që mndodhin në këtë procedurë konkrete. Sigurisht që kam pasur dijeni në kuptimin e shpenzimit të fondit apo mundësisë për të ardhur uniformat në magazinat e policisë së shtetit pasi ishte një mall i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Në këtë kuptim kam pasur informacion a po ndodh. Kaq. Unë nuk kam pasur dijeni konkrete për hapat e kësaj procedure” u shpreh Ndrecaj.

Lapsi.al iu kthye arkivës për të parë se çfarë qëndrimesh kanë mbajtur dy të emëruarit në krye të Ministrisë së Brendshme, kur skandali u denoncua nga opozita.

Në sallën e parlamentit, në korrik të vitit 2020, Sandër Lleshaj u konfrontua me Myslym Murrizin për këtë çështje. Aty i shpëtoi edhe gafa përçmuese për uniformat blu “polic ke qenë e polic do të mbetesh”.

Por Lleshaj duket kohërent. Edhe atëherë përsëriti pak a shumë të njëjtat mesazhe që ka sot. Se nuk dinte asgjë për tenderin dhe se akuzat duhej të çoheshin në SPAK për hetime të mëtejshme.

VIDEO

Ndryshe rezulton qëndrimi i ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, që ka bërë një kthesë 180 gradë sot. Dikur ai u doli për zot akuzave të Partisë Demokratike për tenderin e uniformave. Ndreca bëri një padi civile për shpifje dhe kërkoi 10 milion lekë dëmshpërblim, sepse i konsideronte të pavërteta akuzat e opozitës. Në shumë nga mediat pranë opozitës, ky lajm sot është fshirë.

I pyetur se përse i bëri avokatin e tenderit, kur nuk kishte dijeni për procedurat konkrete, Ndreca u përgjigj: “Në atë kohë ishin deklarata politike, denigruese për institucionin, pra kishin si qëllim denigrimin e institucionit dhe ishte një ftesë, që Partia Demokratike të paraqiste faktet mbi të cilat ajo pretendonte deklaratat që kishte bërë publikisht”.

Të dy, si Ndreca, edhe Lleshaj, sot janë në syrin e ciklonit. Ish-sekretari mohoi të ketë folur me ish-ministrin këto ditë. Në burg janë 9 zyrtarë të tjerë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit