Ish-Blloku në Tiranë u projektua të kthehej në një zonë me përparësi për këmbësorët përmes projektit “Tirana Walk 2021”, me kufizim të parkimit dhe qarkullimit të makinave në disa prej rrugëve.
Projekti përfshinte rrugët “Ismail Qemali”, “Pjetër Bogdani” dhe “Brigada e VIII”, si dhe disa ndërhyrje në rrugët lidhëse të zonës. Sipas projektit, hapësirat e parkimit do t’u shtoheshin trotuareve, ndërsa në rrugën “Ismail Qemali” do të krijohej edhe një korsi biçikletash.
Për këtë projekt ishte parashikuar një fond limit prej rreth 246 milionë lekësh, ose rreth 2.5 milionë euro.
Por me punimet që janë drejt përfundimit, qytetarët kanë vënë re se sa mirë janë përdorur këto fonde dhe se realiteti në terren është shumë larg asaj që ishte premtuar.
Në rrugët e zonës shihen puseta të mbuluara me dërrasa e mbeturina, kapakë betoni të dëmtuar dhe gropa të hapura. Ndërkohë që nuk ka hapësira të sigurta për këmbësorët pasi kabllot dhe materialer e ndërtimi janë lënë të shpërndara në rrugë.
“Pusetat janë të mbushura me dërrasa e mbeturina, ndërsa kapakët prej betoni janë thyer. Nëse kaloni vetë në rrugët që po rregullohen, do të kuptoni sa problematike është mënyra se si po punohet aty. Për banorët dhe kalimtarët është kthyer në një makth”, shkruan një qytetar.
Një tjetër denoncim ngre shqetësimin se hapësira e projektuar si pedonale po përdoret dhe perceptohet më shumë si parking, ndërsa qytetarët vijojnë të përballen me probleme edhe pas përfundimit të punimeve.
Banorët kërkojnë që punimet të kryhen sipas standardeve të parashikuara dhe të garantohet siguria e këmbësorëve pasi në fund të fundit fondi nga taksat e tyre është.



