Tenderi 5 mld lekë për pastrimin e Pogradecit, Sadri Abazi humbet përballë “Gëzimit të Kashtës”

Tenderi 5 mld lekë për pastrimin e…

Kompania e familjes së deputetit Sadri Abazi, “Alko Impeks” ka humbur përballë kompanisë “Rej”, pjesë e së cilës është edhe një personazh i njohur i kronikës, Gëzim Salillari, i njohur si “Gëzimi i Kashtës”, në garën për tenderin mbi 5 miliardë lekë për pastrimin e qytetit të Pogradecit.

Kjo është hera e dytë që “Alko Impeks” e familjes Abazi del humbëse në tenderat multi-milionë euro, të zhvilluar nga kryebashkiakët e emëruar nga kryeministri Edi Rama, duke dhënë një sinjal se raportet mes tyre nuk duket se janë në “muajin e mjaltit”.

Një fat i tillë, aspak i mirë për biznesin, iu rezervua “Alko Impeks” edhe në tenderin rreth 5 milionë euro, të zhvilluar pak kohë më parë, për pastrimin e qytetit të Vlorës.

Por, ndërkohë që tenderi për pastrimin e qytetit bregdetar, siç është raportuar më herët në media, u shoqërua me përplasje mes personazheve afër Edi Ramës dhe me “kryqëzimin politik” të kryebashkiakut Dritan Leli, procedura e zhvilluar nga kreu i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka kaluar “në paqe”.

Mesa duket, kjo “paqe politike” nuk lidhet shumë me faktin që “Alko Impeks” paraqiti ofertën më të lartë, sesa me faktin që kompania fituese është gjithashtu në pronësi të emrave që kanë lidhje me Partinë Socialiste në pushtet.

Tenderi

Në 8 Korrik 2020, Bashkia e Pogradecit shpalli rezultatet e tenderit për pastrimin e qytetit. Referuar informacionit zyrtar, në garë morën pjesë 3 kompani.

– Kompania “Korsel” paraqiti ofertën më të lartë. Gjithësesi, ajo u skualifikua nga tenderi, për shkak të mungesave në dokumentacion, siç e vlerësoi autoriteti kontraktor.

– Kompania “Alko Impeks General Construction” e menaxhuar nga djali i vëllait të deputetit Sadri Abazi, dha ofertën e dytë më të lartë.

– Kompania “Rej” dha ofertën më të ulët, konkretisht 504 milionë lekë, duke u shpallur edhe fituese e tenderit për pastrimin e qytetit të Pogradecit.

Kush është fituesi

Kompania “Rej” shpk është krijuar në vitin 1994 nga sipërmarrësi Luan Kapri.

Në vitin 2011, Kapri i shet 20 përqind të aksioneve kompanisë “Kliva”, e cila është në pronësi të Gëzim Salillarit nga Durrësi, një personazh i përmendur në kronikat mediatike në mesin e viteve 2000.

Luan Kapri, krahas rolit si biznesmen, njihet në Pogradec edhe si kushëriri i parë i ish-kryetarit të Bashkisë së qytetit, Eduart Kapri, një personazh me të shkuar politike në Partinë Socialiste, por që iu bashkua opozitës së djathtë në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Ndërsa Gëzim Salillari njihet ndryshe edhe si “Gëzimi i Kashtës”, referuar emrit të një lokali që ka pasur në zonën e bllokut të vilave qeveritare në Durrës, i frekuentuar nga Fatos Nano kur ishte kryeministër, por edhe nga personazhe të tjerë të rëndësishëm të Partisë Socialiste.

Në vitet 2006-2007, Salillari u përball me akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Megjithatë, një hetim i zhvilluar nga Prokuroria për Krime të Rënda në atë kohë ia rrëzoi akuzat e trafikut.

Në fillim të shkurtit 2011 ai regjistron kompaninë “Kliva”, me objekt në fushën e ndërtimeve. Vetëm pak ditë më pas, Salillari blen 20 përqind të aksioneve të “Rej” shpk, ndërkohë që 80 përqind i mbeten themeluesit të saj, Luan Kapri.

Shoqëria “Rej” ka kryer pastrimin e qytetit të Pogradecit edhe në kohën kur kryebashkiak ishte Eduart Kapri, familjari i afërt biznesmenit Luan Kapri.

Megjithatë, akuzat publike për konflikt interesi ndërmjet kushërinjve Kapri u rrëzuan, pasi u zbulua se kompania “Rej” kishte fituar tenderin për pastrimin e qytetit me një kontratë të nënshkruar nga ish-kryebashkiaku tjetër, Artan Shkëmbi.

Bashkëpunimi Kapri-Salillari vijon edhe më tej. Në vitin 2009, Luan Kapri themelon shoqërinë “Rej Energy”. Kjo kompani, në Shkurt të vititt 2011, kalon në pronësi të kompanisë “Rej”, e cila tashmë kishte aksioner Luan Kaprin me 80 përqind të aksioneve dhe shoqërinë “Kliva” të Gëzim Salillarit me 20 përqind.

Kjo shoqëri u krijua për të zbatuar kontratën koncensionare të llojit “Partneritet Publik-Privat”, me objekt “Financimin, projektimin, ndërtimin, vënien në punë, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e HEC-eve, Cemeric, 1, 2 dhe 3 si dhe prodhimin, transmetimin, shitjen dhe tregtimin e energjisë elektrike të prodhuar./Boldnews.al/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit