Tenderi i dyshimtë/ Kryebashkiaku socialist 30 mln Lekë kushëririt të ish-kryetarit demokrat

Tenderi i dyshimtë/ Kryebashkiaku socialist 30 mln…

Kur vjen puna te paratë, kahet politike dinë të krijojnë një simbiozë aq harmonike me njera-tjetrën, sa dhe natyra do i kish zili…

Shembulli i radhës vjen nga Pogradeci, ku bashkia socialiste e drejtuar nga Ilir Xhakolli i ka dhënë një tender të konsideruar problematik, kushëririt të parë të ish-drejtuesit të kësaj Bashkie, Eduard Kapri.

Tenderi me flamur të kuq

Referuar dokumentave zyrtare, kompania ‘REJ SHPK’, pak ditë më parë, është shpallur fituese e tenderit për sistemim e rrugës ‘Jani Basho’ të qytetit liqenor, duke nënshkruar një kontratë me bashkinë që do i mundësojë arkëtimin e mbi 30 milion lekëve: 3,570,256 (Tre milion e pesëqind e shtatëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë të reja.

Kompania fituese, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, zotërohet 80 përqind nga Luan Kapri, kushëriri i parë me ish-kryetarin demokrat të Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kaprin – dhe 20 përqind, nga kompania ‘KLIVA’, që po sipas QKB-së, rezulton të ketë pronar Gzim Sallilarin.

 

 

Sipas profesionales “OpenProcurement Albania”, tenderi është klasifikuar me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit. Nga të skualifikuarit nuk ka pasur ankesa.

Referuar dokumentave zyrtare të tenderit të dyshimtë, fituesi është firma që ka ofruar ofertën më të lartë ekonomike.

Kompania e Kaprit problematike me punonjësit

Kompania fituese e tenderit është përmendur në media si problematike për sa i përket trajtimit të punonjësve. Në Mars të vitit 2013, një kronikë e televizionit Top Channel, raportonte rastin e 12 punonjëseve të cilat denoncuan shkeljet nga kompania.

“Gratë ankohen se punojnë në kushte të këqija, natën dhe me një pagë prej 18 000 lekësh. Akuzat e tyre janë të rënda në drejtim të menaxheres, të cilën e akuzojnë se ka marrë kartat e tyre bankare. Konflikti në punë është përshkallëzuar deri në pezullimin e tyre nga puna.

‘E zbuluam nga shoqet. Futën kartën e bankës dhe nxorën 21 000 lekë, por menaxherja ia mori lekët nga dora dhe i tha që do t’i merrnin te zyra të nesërmen lekët. Është vajza e drejtorit, zotit Luan Kapri. Na pushuan nga puna tani’, thonë pastrueset.

Përfaqësuesja e firmës, Marinela Kapri sqaron se kartat e bankomateve të punonjëseve i ka marrë vetëm për të verifikuar kalimin e pagave të tyre dhe se ua ka kthyer ato brenda pak ditësh, ndërsa ka kërkuar gatishmëri që firma të negociojë me punonjëset për kërkesat e tyre.

Firma kontraktore e pastrimit në qytetin e Pogradecit ka për administrator Luan Kaprin, kushëriri i parë i kryetarit të Bashkisë, Eduard Kapri. Megjithatë, zyrtarisht bëhet e ditur se kontrata është lidhur para se Kapri të zgjidhej kryebashkiak“, thuhet në raportimin mediatik.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit