Tenderi i fshehtë dhe firmat fantazmë, si po minohet rrjeti publik i transmetimit digjital të RTSH-së

Tenderi i fshehtë dhe firmat fantazmë, si…

RTSH-ja firmos një tender 9 milionë euro me një kompani pa përvojë, duke rrënuar rrjetin digjital aktual prej 35 milionë eurosh, ndërtuar me teknologji gjermane

Rreth dhjetë vite më parë, Shqipëria realizoi me sukses një nga projektet më strategjike në fushën e transmetimit: ndërtimin e rrjetit digjital tokësor DVB-T2 të RTSH-së, me teknologjinë e avancuar gjermane të Rohde & Schwarz. Ky rrjet, i cili mbulon rreth 98% të territorit shqiptar, ofroi për një dekadë standarde të larta dhe stabilitet të plotë.

Por në vend që të ruhej si aset kombëtar, rrjeti po degradohet përmes një tenderi të dyshimtë prej mbi 9 milionë eurosh, të nënshkruar në heshtje nga ish-drejtoresha Aurora Polo pak para largimit të saj. Tenderi, me një afat 4-vjeçar, iu dha një kompanie pa asnjë eksperiencë në fushën e transmetimeve, duke anashkaluar çdo kriter teknik apo profesional.

Kompania gjermane ofruese e rrjetit dhe mbështetëse në mirëmbajtje, u përjashtua pas presioneve dhe mosrespektimit të pagesave nga ana e RTSH-së. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të mbajtur funksional rrjetin, vendimet arbitrare dhe mungesa e transparencës çuan në tërheqjen e tyre. Ndërkohë, kompania e re e përzgjedhur, sipas të dhënave publike, nuk ka as autorizim nga prodhuesi e as trajnim të stafit teknik për mirëmbajtjen e pajisjeve.

Stafi teknik i RTSH-së ka kundërshtuar me forcë këtë vendim, duke kërkuar anulimin e kontratës për shkak të mungesës së përgatitjes profesionale të kompanisë në fjalë. Por pavarësisht protestave të brendshme, procesi i prokurimit është shtyrë përpara nga disa zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike, pa ndonjë analizë të ndikimit të mundshëm në rrjetin publik kombëtar.

Investimi prej 35 milionë euro, tashmë rrezikon të shkatërrohet, ndërkohë që qytetarët nuk kanë asnjë informacion se si po përdoren taksat e tyre. RTSH nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik mbi këtë kontratë problematike, duke lënë pas një erë dyshimi për një strategji të qëllimshme për çmontimin e rrjetit publik.

Situata është kthyer në shqetësim kombëtar, ndërkohë që buxheti vjetor i RTSH-së shkon në 28 milionë euro. Vetëm 3.3 milionë euro janë gjeneruar nga vetë institucioni, ndërsa 17 milionë euro janë mbledhur nga taksa që paguan çdo familje në faturën e energjisë. Pjesa tjetër mbulohet nga buxheti i shtetit. Kjo disproporcion në financim ngre pyetje serioze për menaxhimin e parave publike.

Drejtuesit e RTSH-së nuk kanë shfaqur asnjë interes për përmirësimin e përmbajtjes televizive, por fokusohen vetëm te tenderët, punësimet dhe shpenzimet e fryra. Ky model i menaxhimit ka krijuar një institucion që, në vend të zhvillimit të medias publike, po përdoret si instrument për abuzime financiare.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit