Tenderi me "flamur të kuq"/ Vëllai i ish-kryebashkiakut demokrat merr 1.7 miliardë nga bashkia e Pogradecit

Tenderi me “flamur të kuq”/ Vëllai i…

Plotë 1.7 miliardë lekë do të marrin nga bashkia e Pogradecit tre kompani për ndërtimin e ujësjellësit të Udenisht-Memelisht. Një prej firmave fituese, në një tender të klasifikuar me “flamur të kuq”, është në pronësi të Xhavit Ismailit, vëllait të ish-kryebashkiakut demokrat të Vorës, Fiqiri Ismaili.

Tenderi me “flamur të kuq”

Më datë 24 Qershor, Bashkia socialiste e Pogradecit, e drejtuar nga Ilir Xhangolli, ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “Ndërtimi i Ujësjellësit Udenisht-Memelisht, Pogradec” dhe fond limit rreth 1.8 miliardë lekë –  180,328,333 lekë (të reja).

Fituesi, referuar dokumenteve zyrtare të publikuara nga Agjencia e Prokurimeve Publike, është bashkimi i kompanive “METEO” SH.P.K., “ALBA KONSTRUKSION” SH.P.K. dhe “B93II” SH.P.K.   

Oferta e bashkimit të tre operatorëve ekonomikë është thuajse sa fondi limit – 179,617,618 Lekë.

Ndërsa dy kompanitë e tjera nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike e as dokumentacionin e nevojshëm dhe janë skualifikuar.

“ALPHA SOLUTIONS GROUP” SH.P.K. dhe “SENKA” SH.P.K. janë skualifikuar pasi “nuk plotësojnë asnjë nga kriteret (nuk kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm)”, sqarohet në dokumentet e publikuara në APP.

Ankesa nuk ka pasur.

Në praktikën e prokurimeve publike, tenderat në të cilët mbetet në garë vetëm fituesi dhe të tjerët skualifikohen, konsiderohen me “flamur të kuq”, me rrisk të lartë abuzimi nga autoriteti kontraktues.

Fituesit

Bashkimi i operatorëve ekonomikë “METEO” SH.P.K., “ALBA KONSTRUKSION” SH.P.K. dhe “B93II” SH.P.K. janë fituesit e tenderit.

Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “METEO” SH.P.K. dhe “B93II” SH.P.K. rezultojnë në pronësi, përkatësisht të Eral Myftarajt dhe Ardit Liçajt.

Kompania tjetër fituese – “ALBA KONSTRUKSION”, është në pronësi të Xhavit Ismailit, vëllai i Fiqiri Ismailit, ish-kryetarit demokrat të Bashkisë Vorë i cili qëndroi në atë detyrë për plot 16 vjet.

Rast i përsëritur në pak kohë

Ky tender është fituar në mënyrë të ngjashme me atë të kontraktuar me Bashkinë e Gjirokastrës për ndërtimin e Ujësjellësit të Lazaratit.

Po këto tre kompani rezultuan pak kohë më parë fitueset e tenderit  rreth 2,1 milionë euro.

Edhe në atë rast, panorama ishte thuajse e njëjtë – Dy kompanitë e tjera nuk kanë ofruar vlerë ekonomike dhe janë skualifikuar.  

SipasOpen Procurement Albania, ndër tenderat e fituara nga këto kompani vitet e fundit, janë të shumta ato të klasifikuara me “flamuj të kuq”.

/GazetaAtdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit