I akuzuari për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko gjithashtu pjesë e Klanit Duka, Ilir Selmani, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme të Apelit (GJKKO), nën masa të forta sigurie.
Seanca u zhvillua mes tensionesh, ndërsa në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupa gjykuese njoftoi se vendimi do të shpallet më 17 korrik.
Gjatë seancës, Selmani ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke mohuar çdo përfshirje në vrasjen e Santiago Malkos.
“Jam i pafajshëm dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar ai para gjykatës.
Po ashtu, Selmani ka hedhur akuza ndaj organit të akuzës, duke pretenduar se dosja është manipuluar dhe duke e cilësuar prokurorin të korruptuar.
Në sallën e gjyqit reagoi edhe nëna e Santiago Malkos, e cila kërkoi dënimin maksimal për të akuzuarin.
“Ai ma ka vrarë djalin. Dënojeni me 28 vite burg, ose ma sillni djalin në shtëpi që ta shoh dhe nxirreni këtë jashtë”, është shprehur ajo me emocione.
Ndërkohë, ndryshimi i masës së sigurisë për Ilir Selmanin nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” është bërë për shkak të përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit, ndërsa procesi gjyqësor vijon në Apelin e GJKKO-së.