Tensionet e reja me Turqinë, ushtria Greke kalon në gatishmëri të lartë

Tensionet e reja me Turqinë, ushtria Greke…

Damarët e naftës dhe gazit të zbuluara së fundi në Egje dhe në ujërat midis Turqisë dhe Greqisë, po krijojnë incidente të reja mes këtyre dy shteve.

Ethet për “arin e zi”, i kanë rritur orekset e dy vendeve mesdhetare dhe anëtare të NATO-s, për pasurim nga nëntoka.

Por Greqia dje u vu në gatishmëri të lartë ushtarake, pasi Turqia dërgoi anijen e saj mbikëqyrëse “Oruc Reis”, në një zonë brenda shelfit kontinental grek.

Këtë veprim, Athina e konsideroi si një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Sipas një teleteksi navigues që lëshoi, Ankaraja rezervoi një zonë në Jug të ishullit grek Kastellorizo, për të kryer kërkime shpimi gjatë dy javëve të ardhshme, raporton gazeta “Kathimerini”.

Si përgjigje, Forcat e Armatosura të Greqisë u vendosën në gjendje gatishmërie absolute, me njësi të Marinës Greke dhe Forcave Ajrore, të vendosura në zonën më të gjerë të detit, ku pritej të niste kërkimi turk.

Kur “Oruc Reis” i shoqëruar me anije të Marinës turke hyri në shelfin kontinental grek, anijet luftarake greke dërguan mesazhe në një frekuencë prej rreth 15 minutash, duke kërkuar largimin e anijes nga zona.

Mesazhet nuk morën përgjigje nga anija e cila, mbane një shpejtësi të ulët, të ngjashme me atë të një procesi kërkimi.

Anija turke kishte përgatitur një sondë për t’u ulur në tabanin e detit, në mënyrë që të vazhdonte me aktivitetet kërkimore në zonë.

Por sipas mediave greke, aktivitetet eksploruese u bënë të pamundura, për shkak të zhurmës së shkaktuar nga shumë njësi detare që lundronin në zonë.

Kjo, edhe për shkak se, eksplorimi i këtij lloji, kërkon transmetimin e të dhënave nga shtrati i detit dhe zhurmat e anijeve e bënë këtë transmetim të pamundur.

Në Athinë, u zhvillua një mbledhje urgjente e organit të lartë vendimmarrës të vendit, për çështjet e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, KYSEA.

Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, lëshoi një deklaratë të ashpër, duke i bërë thirrje Turqisë, të “përfundojë menjëherë veprimet e saj të paligjshme, që dëmtojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.

Ai shtoi se, sjellja turke “është një përshkallëzim i ri serioz dhe ekspozon në mënyrën më të qartë rolin destabilizues dhe kërcënues të Turqisë”.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit