Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mesnatën e kaluar, ku një person tentoi të vriste me thikë një 26-vjeçar. Autori i dyshuar është arrestuar, ndërsa është ndaluar edhe mjeku i spitalit ku i riu mori trajtim.
Sipas policisë, pas marrjes së njoftimit për një plagosje në lagjen “Haxhias”, ku një 26-vjeçar ishte sulmuar me mjet prerës, u organizua menjëherë operacioni policor i koduar “Mesnata”. Falë veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit, shtetasit A. K., 59 vjeç, banues në Elbasan. Nga hetimet rezultoi se A. K., në gjendje të dehur, tentoi të vrasë me thikë shtetasin D. B., 26 vjeç, po ashtu banues në Elbasan, i cili u dërgua menjëherë në spital për ndihmë.
Gjatë hetimeve u konstatua se mjeku i rojes në spital, shtetasi K. D., 32 vjeç, nuk kishte dokumentuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi trajtimet e dhëna për pacientin. Për këtë arsye, Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Urdhri u ekzekutua nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Elbasanit, ndërsa materialet procedurale iu dorëzuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.