Një tjetër tentativë e dyshuar për arratisje është regjistruar pranë burgut të Parmës në Itali, ku autoritetet kanë gjetur një litar me grep dhe sende të tjera që mund të ishin përdorur për të ndihmuar të burgosur të largoheshin nga struktura. Mjetet u zbuluan mëngjesin e 9 gushtit, në pjesën e jashtme të burgut pranë rrugës Mantova, në kufi me zonën e rrugës Burla.
Bëhet fjalë për një litar të pajisur me grep, i ngjashëm me mjetet që mund të përdoren për kapërcimin e mureve rrethuese. Ky është rasti i dytë i ngjashëm brenda pak javësh, pasi më 2 korrik pranë së njëjtës strukturë penitenciare u gjetën edhe objekte të tjera që dyshohej se do të përdoreshin në një plan arratisjeje.
Sipas rindërtimeve paraprake të autoriteteve italiane, pas të dyja episodeve mund të fshihet i njëjti grup personash me origjinë shqiptare. Grupi dyshohet se po përpiqet të ndihmojë disa të burgosur të arratisen nga burgu i Parmës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur autorët dhe qëllimin e saktë të sendeve të gjetura.