Tentoi të arratisej dhe goditi dy karabinierë, arrestohet 27-vjeçari shqiptar në Itali

Tentoi të arratisej dhe goditi dy karabinierë,…

Një 27-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në Itali pas një përplasjeje me karabinierët në parkimin e një qendre tregtare pranë Brescias. I riu tentoi t’u shpëtonte efektivëve dhe, gjatë ndalimit, raportohet se bëri rezistencë me forcë, duke u shkaktuar dëmtime dy prej tyre.

Ngjarja ndodhi pasditen e 2 tetorit, në parkimin e qendrës tregtare Elnòs, në Roncadelle. Sipas mediave italiane, karabinierët e Njësisë së Radiomobile të Kompanisë së Brescias e kishin lokalizuar 27-vjeçarin në ambientet e parkimit.

Në momentin që pa uniformat e policisë, shqiptari raportohet se tentoi të largohej me vrap. Gjatë ndërhyrjes për ta ndaluar, ai kundërshtoi me forcë efektivët dhe gjatë përleshjes dy karabinierë pësuan dëmtime. Njëri mori 10 ditë për t’u shëruar, ndërsa tjetri 4 ditë.

Pas arrestimit, kontrollet vijuan në automjetin që përdorte 27-vjeçari. Brenda tij u gjetën disa mjete të dyshuara se mund të përdoreshin për thyerje, mes tyre leva dhe mjete të tjera metalike, të cilat u sekuestruan.

Në automjet u gjet edhe një dokument identifikimi grek, i cili rezultoi i falsifikuar dhe i vlefshëm për kalim kufiri.

27-vjeçari, i cili ndodhej në mënyrë të parregullt në Itali, u dërgua para gjykatës në procedurë të përshpejtuar, ku arrestimi i tij u konvalidua.

Pas seancës, ndaj tij u mor edhe masa administrative për largimin nga Italia. Shqiptari u transferua në Qendrën e Mbajtjes për Riatdhesim në Gradisca d’Isonzo, ku do të qëndrojë në pritje të riatdhesimit drejt Shqipërisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit