Tentoi të fuste 17 emigrantë me jaht në Angli, dënohet peshkatari shqiptar

Tentoi të fuste 17 emigrantë me jaht…

Një peshkatar me origjinë shqiptare është shpallur fajtor nga drejtësia britanike, pasi u kap duke tentuar të transportonte ilegalisht 17 emigrantë nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar përmes një jahti.

Sipas njoftimit nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA), peshkatari Eno Gajda u arrestua nga oficerët e Komandës së Sigurisë Kufitare në brigjet e Dorset, ndërsa çështja u mor në dorëzim nga hetuesit e NCA-së.

Gajda kishte lundruar me një mjet lundrues të llojit jaht nga Dielette e Francës me destinacion bregdetin e Portlandit në Britani.

Mjeti u pikas nga roja bregdetare dhe u shoqërua në portin e Portland Marina. Gjatë kontrollit të ushtruar në bord, oficerët gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të gjithë me kombësi shqiptare.

I akuzuar për lehtësim të emigracionit të paligjshëm, Eno Gajda u deklarua fajtor në Gjykatën e Kurorës në Bournemouth. Masa e dënimit për të pritet të jepet më 18 nëntor në të njëjtën gjykatë.

Drejtuesi i njërës prej degëve të NCA-së, Andy Tickner, e cilësoi këtë tentativë si një veprim me rrezikshmëri të lartë për jetën e njerëzve:

“Edhe pse Gajda kishte njëfarë përvoje në det, lundrimi nëpër një nga korsitë më të ngarkuara të transportit detar në botë ishte shumë i rrezikshëm dhe vinte në rrezik shumë jetë”, u shpreh Tickner.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit