
Eni Kokomani, teolog shqiptar që jeton prej vitesh në Iran, ka deklaruar gjatë një interviste televizive se autoritetet iraniane ishin të informuara paraprakisht për sulmin e Shteteve të Bashkuara ndaj strukturave bërthamore, duke vepruar me shpejtësi për të zhvendosur uraniumin e pasuruar në një lokacion të sigurt.
“Në Iran thuhet që para se të sulmonin amerikanët dhe izraelitët, çdo gjë është larguar; uraniumi i pasuruar është zhvendosur në vend të sigurt. Banorët pranë bazës Fordow thonë që nuk kanë dëgjuar asnjë lloj zhurme, ndaj nuk është e qartë si ka ndodhur kjo ngjarje. Është e sigurt që SHBA ka shkelur territorin iranian dhe ka kryer një sulm, por a e ka bërë këtë për t’i mbyllur gojën Izraelit që të mos ndërhyjë? Ndoshta gjithçka bëhet për të ndalur luftën dhe për të çelur një dritare për paqen”, tha Kokomani.
Ai theksoi se reagimi i udhëheqjes iraniane, i cili përfshin paralajmërime për “pasoja të përjetshme”, mund të lidhet me skenarin më të rrezikshëm: bllokimin e Ngushticës së Hormuzit – një arterie strategjike për furnizimin global me naftë.
“Kërcënimi i liderit të Iranit për pasoja të përjetshme… ndoshta, nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit, do të ketë një ndikim të madh në Evropë. Do të rritet çmimi i naftës, do të shpërthejnë trazira të mëdha në Lindjen e Mesme, do të ndodhë një kolaps total dhe nuk përjashtohet mundësia për një luftë të tretë botërore”, shtoi ai.
Kokomani kujtoi gjithashtu se Teherani e konsideron këtë ndërhyrje një shkelje të rëndë të sovranitetit kombëtar dhe ka paralajmëruar për përhapje të konfliktit në të gjithë rajonin, përfshirë goditje të mundshme ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme.