Tërhiqen nga tregu ushqimet për fëmijë HiPP, dyshime për helm në Austri

Tërhiqen nga tregu ushqimet për fëmijë HiPP,…

Autoritetet në Austri kanë ngritur alarmin pas dyshimeve për prani të helmit për minj në ushqim për fëmijë të markës HiPP, duke çuar në tërheqjen urgjente të disa produkteve nga tregu.

Rasti u raportua fillimisht nga një konsumator, i cili evidentoi një mostër të dyshimtë në një kavanoz 190 gramësh me pure karrote dhe patateje. Pas analizave, u ngritën dyshime për ndotje me substanca të rrezikshme, çka detyroi autoritetet dhe kompaninë të ndërmarrin masa të menjëhershme.

Si masë sigurie, produktet përkatëse janë tërhequr nga mbi 1,000 supermarkete të zinxhirit Spar në Austri. Kompania HiPP deklaroi se nuk mund të përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së jashtme, duke lënë të hapur pistën e manipulimit të produkteve gjatë shpërndarjes.

Sipas policisë, kavanozat e dyshuar dallohen nga disa shenja specifike, si një rreth i kuq në fund, kapak i dëmtuar ose i hapur, mungesë e vulës së sigurisë apo erë e pazakontë.

Autoritetet dhe kompania u kanë bërë thirrje konsumatorëve që të mos i përdorin këto produkte nëse i kanë blerë në rrjetin Spar në Austri.

Ndërkohë, produkti tregtohet edhe në Shqipëri në supermarkete dhe farmaci, por deri tani nuk është raportuar asnjë rast i ngjashëm apo problem sigurie.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit