Tërmetet në Venezuelë, rritet bilanci: 4,333 viktima dhe mbi 16 mijë të plagosur

Tërmetet në Venezuelë, rritet bilanci: 4,333 viktima…

Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor ka shkuar në 4,333 të vdekur, ndërsa mijëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe pa strehë.

Shifrat e reja u bënë publike këtë të shtunë nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili njoftoi se 16,740 persona janë regjistruar si të plagosur si pasojë e katastrofës natyrore.

Sipas autoriteteve, 315 nga viktimat ende nuk janë identifikuar, ndërsa 6,462 persona janë shpëtuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit. Rreth 17 mijë banorë kanë mbetur pa strehim pas dëmtimeve të shkaktuara në zonat e prekura.

Jorge Rodriguez deklaroi se shpërndarja e banesave të para për familjet e prekura pritet të nisë javën e ardhshme, ndërsa presidentja në detyrë Delcy Rodriguez pritet të dorëzojë 200 shtëpitë e para.

Nga të dhënat paraprake rezulton se 856 ndërtesa janë prekur nga tërmetet, ndërsa 190 prej tyre janë shembur plotësisht ose kanë pësuar dëmtime të rënda strukturore.

Autoritetet venezueliane kanë vlerësuar se nevojiten rreth 25 mijë banesa të reja për të përballuar nevojat e familjeve të prekura. Deri tani janë identifikuar rreth 40 parcela toke, me një sipërfaqe totale prej afro 584 mijë metra katrorë, për ndërtimin e projekteve të reja të strehimit.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende në disa zona, ndërsa autoritetet thonë se do të vazhdojnë kërkimet për persona të mbijetuar.

“Për sa kohë që ka jetë, ka shpresë”, deklaroi Jorge Rodriguez, duke theksuar se disa zona mbeten ende aktive për kërkime.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit