Më shumë se 3,500 persona kanë humbur jetën pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor, ndërsa rreth 18 mijë njerëz kanë mbetur pa banesa.
Sipas autoriteteve, bilanci zyrtar ka arritur në 3,535 viktima, 16,740 të plagosur dhe 17,854 persona të pastrehë. Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën brenda pak sekondash zonat përreth kryeqytetit Karakas dhe rajonin bregdetar La Guaira, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Rreth 12,800 persona janë strehuar në 80 qendra të përkohshme në Karakas dhe La Guaira, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për një krizë të mundshme shëndetësore për shkak të mbipopullimit, mungesës së ujit të pastër dhe kushteve të vështira sanitare.
Autoritetet bëjnë të ditur se rreth 60 mijë ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar nga tërmetet. Në La Guaira, ekipet mjeko-ligjore kanë vijuar transportimin dhe identifikimin e viktimave, ndërsa autoritetet kanë nisur varrosjet në zona të posaçme.
Qeveria venezueliane deklaron se forcat e sigurisë u angazhuan menjëherë pas katastrofës dhe ka njoftuar masa të reja për menaxhimin e emergjencave. Megjithatë, reagimi i saj është kritikuar nga qytetarë dhe organizata humanitare, të cilat e kanë cilësuar ndihmën të vonuar dhe të pamjaftueshme.
Mjekët paralajmërojnë se pas fazës së parë të traumave nga katastrofa, rreziku kryesor tashmë është përhapja e infeksioneve. Në qendrat e strehimit janë raportuar raste me diarre dhe sëmundje të tjera, ndërsa autoritetet po kërkojnë zgjidhje për përmirësimin e higjienës dhe shmangien e mbipopullimit.