Tërmeti 4.4 ballë ‘shkundi’ Shqipërinë! A duhet të shqetësohemi? Flet sizmiologu Dushi

Tërmeti 4.4 ballë ‘shkundi’ Shqipërinë! A duhet…

Mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:04 u regjistruan lëkundje të forta toke. Tërmeti me magnitudë 4.4 ballë goditi Shqipërinë e kishte epiqendrën 16 kilometra në veriperëndim të Tiranës dhe 12 kilometra në jug-jugperëndim të Krujës. Në lidhje me këtë sizmiologu Edmond Dushi, Përgjegjës në Departamentin e Sizmologjisë u shpreh se lëkundjet e tokës sot kanë një natyrë tektonike dhe është tepër i zakonshëm për territorin e Shqipërisë dhe për rajonin ku bën pjesë Shqipëria.

Sizmiologu Dushi tha se pavarësisht se tërmeti u regjistrua shumë pranë zonës ku ishte dhe epiqendra e tërmetit të vitit 2019, nuk ka vend për panik, pasi tërmete me magnitutë deri në 4.5 janë lëkundje që kanë një probabilitet që të regjistrohen çdo vit në territorin e Shqipërisë. Sizmiologu shprehet se tërmeti i sotëm është regjistruar në një zonë e cila ndodhet midis dy strukturave tektonike, e Prezës dhe e Krujës, ndërsa u shpreh se paslëkundjet janë të natyrshme.

Teksa u pyet nga gazetarja Sedjana Huna, nëse tërmeti sot ka lidhje me aktivitete më të gjera sizmike në Ballkan ai u shpreh: “Kemi vërejtur kohët e fundit një rritje të aktivitetit sizmik në rajonin e Adriatikut, në të dyja krahët e Adriatikut, në pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë dhe gjithashtu në Greqi, aty ku kontaktojnë pllakat e mëdha tektonike. Ky është një tregues që kemi një lëvizje rajonale e cila shprehet dhe me aktivitete apo mikro-aktivitete sizmike që regjistrohen brenda territorit të Shqipërisë. Zona është e izoluar dhe nuk shfaq lidhje të drejtpërdrejte por akumulimi i deformimeve kanë ndikuar dhe në zhvillimin e kësaj lëkundje sizmike.”

Sizmiologu Dushi u shpreh se paslëkundjet që po regjistrohen pas lëkundjes së mëngjesit janë më të ulëta, që tregojnë se do të shkojmë drejt një qetësimi, por jemi ende në kushtet ku kjo seri vazhdon, por po mbahet nën monitorim.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit