Tërmeti i 26 nëntorit/ Mbyllen hetimet për cilësinë e ndërtimeve, mungon drejtësia për 51 viktima

Tërmeti i 26 nëntorit/ Mbyllen hetimet për…

Pas tërmetit të 26 nëntorit që solli jo pak, por 51 viktima, prokuroria e Tiranës Durrësit, Lezhës dhe ajo e Krujës nisën hetimet, pasi institucionet e akuzës së këtyre qyteteve ngitën dyshime se nga ky tërmet u shkatërruan ndërtesat që ishin pa leje, ose nga mos kryerja e inspektimeve të duhura nga inxhinierët.

Pas kësaj tragjedie, u prenë dhjetëra fletë-arreste, por personat e vënë në pranga fituan lirinë, pasi gjykatat vendosën që shumica e tyre të hetoheshin në gjendje të lirë. Përsa i përket tragjedisë së 26 nëntorit, e vetmja prokurori që ka përfunduar hetimet është vetëm ajo e Durrësit, ndërsa në Tiranë, Kurbin e Lezhë, hetimet janë ende në vijim.

Pas dëmtimit të pallateve dhe ndërtesave private në kryeqytet prokuroria nxori 42 urdhër-arreste përfshi ndërtues, inxhinierë dhe ish-kryetarë bashkish. Edhe pse ka kaluar një vit nga nisja e këtij hetimi, mungesa e ekspertëve që nuk kanë konflikt interesi, ka bërë që hetuesit mos ketë ende një raport përfundimtar për cilësinë e ndërtimeve çka do të sillte edhe mbylljen e hetimeve.

Sipas informacioneve që Fax  News ka siguruar, mësohet se për dy inxhinierë të akuzuar për shpërdorim detyre, dosja është pushuar pasi vepra penalë është parashkruar. Gjithashtu mësohet se janë veçuar hetimet dhe dosja është dërguar në gjykim për pronarin e një furre buke ne Vorë, i cili ndërhyri në katin e parë të një pallati që pësoi dëmtime nga tërmeti. Ai do të përballet në gjykatë me akuzën e ndërtimit të pa ligjshëm.

Ndërsa janë pushur hetimet për pronarin e një klinike dentare në një pallat në Kombinat, pasi nuk janë gjetur shkelje. Ndërsa për 38 personat e tjerë hetimet vijojne në pritje të analizave për cilësinë e hekurit dhe të betonit të përdorur në objektet e shembura.

E njëjta situatë është edhe përsa i përket dosjes së prokurorisë së Lezhës. Ndërsa përsa i përket hetimeve në Krujë, hetuesit atje janë duke verifikuar ekspertët që bënë ekspertizën e objekteve që u dëmtuan në tërmetin e shtatorit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetuesit e Krujës janë duke hetuar nëse është verifikuar, shkalla e dëmtimeve që këto objekte patën pas tërmetin të shtatorit dhe nëse ekspertët që verifikuan këto dëme, i kanë cilësuar të banueshme apo të pabanueshme, pallatet në Thumanë, shembja e të cilëve shkaktoi 24 viktima.

Hetimet për tragjedinë e 26 nëntorit janë përfunduar vetëm nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka çuar për gjykim 16 persona me akuzën e shpërdorimit të detyrës, vrasjes nga pakujdesia, ndërtim i paligjshëm dhe falsifikim dokumentash.

Përgjegjësinë për humbjen e 23 jetëve nga shembja e 7 objekteve në Durrës gjatë tërmetit të 26 nëntorit, prokuroria e qytetit bregdetar e ka gjetur tek 16 persona, të cilët i ka marrë të pandehur duke i dërguar në gjyq. Mes tyre janë ish drejtuesit e aluiznit, Arben Isaku, Flamur Gjuzi dhe Aldo Dakovelli të cilët akuzohen për shpërdorim detyre së bashku me ish-zyrtarët e inspektoriatit të ndërtimit, Artur Çela dhe Klajdi Lame.

Po ashtu Ramiz Shehu në cilësinë e projektuesit dhe ndërtuesit të banesës së familjes Lala në ish-kënetë ku humbën jetën 8 persona, akuzohet për vrasje nga pakujdesia 8 herë. Për vrasje nga pakujdesia me pasojë humbjen e 5 jetëve, janë marrë të pandehur edhe 3 pronarë hotelesh.

Për shpërdorim detyre është marrë i pandehur edhe shefi i shërbimeve në shtëpinë e pushimit të ministrisë së brendshme, Kujtim Hasa , ku në një prej godinave humbi jetën efektivi Bajram Hajdarmetaj. Për të njëjtën akuzë do të përgjigjen në gjykatë edhe 3 specialistë të aluiznit ndërsa për falsifikim dokumentash dhe ndërtim i paligjshëm akuzohen Nevjana Isufi dhe Artur Terziu,  i cili kishte shndërroi apartamentin në katin e parë të pallatit 6 katësh në bar kafe.

Prokurorët e tri rretheve që nisën hetimet për tërmetin e 26 nëntorit, për Fax news, janë shprehur se kanë konstatuar shkelje të rënda si projekte të ndryshuara, mungesë dokumentacioni në raportet sizmiologjike, mungesë të cilësisë së materialeve ndërtimore si hekur e beton si dhe shumë dokumente të cilat nuk korrespondojnë me lejet e dhëna.

Megjithatë, pavarësisht hetimeve që thuhet se vijojnë, shpirtrat e 51 viktimave ende kërkojnë drejtësi, njësoj si familjarët e tyre, të cilët përvecc dhimbjes ndjejnë dhe barrën e rëndë të padrejtësisë./FAXWEB

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit