Tërmeti i së dielës shkatërroi dhjetra shtëpi në Turqi

Tërmeti i së dielës shkatërroi dhjetra shtëpi…

Tërmeti me magnitudë 5,7 që goditi të dielën Turqinë i ka marrë jetën të paktën një personi dhe ka plagosur rreth 20 të tjerë në rajonet lindore të vendit.

Autoriteti për Katastrofat dhe Emergjencat njoftoi se dridhjet e forta të tokës u raportuan në provincën e Bingolit rreth orës 5,24 me kohën vendore, të ndjekura nga 90 pasgoditje, dy prej tyre me fuqi mbi 4,6 ballë.

Në një nga fshatrat afër epiqendrës, dy kulla vrojtimi të një rajoni policie u shembën duke plagosur e zënë poshtë rojat brenda tyre.

Për nxjerrjen nga rrënoja të personave u mobilizuan helikopterë, dhjetëra automjete dhe mbi 800 forca ushtarake dhe të shpëtimit nga i gjithë vendi.

Njëri prej efektivëve të përplasur përtokë nga tërmeti nuk i mbijetoi dot plagëve të marra, ndërsa me dhjetëra godina zyrtare, banesa dhe shkolla të tjera u rrëzuan ose u dëmtuan rëndë.

Autoritetet lokale shpërndanë mbi 1,300 tenda për strehimin e përkohshëm të banorëve.

90 ekipe ekspertësh vizituan vendngjarjen për të vlerësuar dëmet, përfshirë zv.presidentin turk dhe ministri i brendshëm e ai i urbanistikës.

Turqia ka një histori tragjike me aktivitetet sizmike.

Një tërmet i vitit 1999 me magnitudë 7,6 do vriste më shumë se 17 mijë veta në juglindje të Stambollit, duke lënë më shumë se 500 mijë njerëz pa banesa.

Në dekadën e fundit, tërmeti i vitit 2011 në qytetin e Vanit rezultoi fatal për 523 persona, ndërsa këtë vit, më 24 janar, një lëkundje sizmike me magnitudë 6,8 në qytetin lindor të Elazisë vrau 41 banorë dhe plagosi 1,600 të tjerë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit