Tërmeti më i fortë në 40 vitet e fundit trondit Napolin: Dëme në banesa, bllokohen trenat dhe metrotë

Tërmeti më i fortë në 40 vitet…

Një tërmet me magnitudë 4.7 ka goditur mbrëmjen e së premtes zonën e Napolit dhe Campi Flegrei, duke u cilësuar si lëkundja më e fuqishme e regjistruar në rajon në rreth katër dekada. Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), tërmeti u regjistrua në orën 19:46, me epiqendër rreth 6 kilometra nga Napoli.

Lëkundjet u ndjenë në të gjithë qytetin dhe zonat përreth, duke shkaktuar panik te banorët, të cilët dolën menjëherë në rrugë. Deri tani nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar, por dëmet materiale dhe problemet në infrastrukturë kanë qenë të shumta.

Zjarrfikësit ndërhynë pas dhjetëra telefonatave për ashensorë të bllokuar, rënie suvaje dhe fragmentesh betoni nga ndërtesat, si edhe për shembjen e një tavani në një objekt. Menjëherë pas tërmetit, Prefektura e Napolit aktivizoi Qendrën e Koordinimit të Emergjencave për të menaxhuar situatën.

Lëkundja shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje, duke sjellë probleme edhe me shërbimet e internetit. Metroja në zonën e Mergellinës u bllokua, ndërsa për arsye sigurie u pezullua qarkullimi hekurudhor në të gjithë nyjën e Napolit, përfshirë trenat e shpejtësisë së lartë, linjat Intercity dhe ato rajonale.

Teknikët e Rrjetit Hekurudhor Italian kanë nisur kontrollet në të gjithë infrastrukturën dhe trafiku do të rikthehet vetëm pasi të përfundojnë verifikimet e sigurisë.

Në Pozzuoli, një nga qytetet më pranë epiqendrës, autoritetet vendore aktivizuan Qendrën Operative Komunale për të koordinuar monitorimin dhe ndihmën ndaj banorëve. Ndërkohë, ekipet e Mbrojtjes Civile kanë përgatitur zonat e pritjes në rast se situata përkeqësohet.

Raportohet se një pjesë e shpatit në zonën vullkanike të Solfatarës është shembur, ndërsa në disa rrugë janë konstatuar dëmtime në rrjetin e ujësjellësit, duke shkaktuar rrjedhje uji në sipërfaqe.

Kryebashkiaku i Bacolit, Josi Della Ragione, e cilësoi këtë si lëkundjen më të fortë të regjistruar ndonjëherë në zonë. Ai theksoi se, megjithëse banorët janë të alarmuar, deri tani nuk ka raportime për viktima apo të plagosur. Autoritetet vijojnë kontrollet në ndërtesa, rrugë dhe infrastrukturë, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit