Terror në Durrës, babai mbante peng 2 fëmijët e mitur dhe qëllonte me kallashnikov

Terror në Durrës, babai mbante peng 2…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një 40-vjeçar mbante peng në banesë dy fëmijët e tij të mitur dhe qëllonte me kallashnikov. Pas disa orësh negociata nga RENEA, dy fëmijët, 6 dhe 11 vjeç janë shpëtuar, ndërsa 40-vjeçari Aleks Marku ka rënë në pranga.

Një ditë pasi bashkëshortja e tij iku për të qëndruar disa ditë në Itali, Marku mori dy fëmijët e mitur dhe shkoi nga Lezha në Durrës për pushime, ndërsa me vete mori edhe kallashnikovin. Ai kishte marrë me qira një dhomë në një hotel në Durrës në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Kanë qenë banorët e zonës dhe pronari i hotelit që janë alarmuar nga të shtënat me armë dhe rreth orës 02:20 të 15 majit, dhe më pas kanë njoftuar policinë.

Në momentin që efektivët e Durrësit kanë mbërritur në vendngjarje, 40-vjeçari nuk i është përgjigjur thirrjes për t’u dorëzuar. Por ka vijuar të qëllojë me kallashnikov nga ballkoni, ndërsa një prej fëmijëve e mbante po ashtu në ballkon. 

Në këto kushte për të mos rrezikuar jetën e efektivëve të Durrësit dhe të fëmijëve është njoftuar forca e specializuar RENEA, e cila pas disa orësh negociata ka arritur që të bindë 40-vjeçarin që të dorëzohet. Fëmijët janë liruar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa 40-vjeçari është arrestuar.

40-vjeçari ka qenë nën efektin e drogës, pasi brenda në banesë janë gjendur shenja që vërtetojnë se ka konsumuar lëndë narkotike. Marku ka pasur konflikte të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, e cila mësohet se është e pajisur me urdhër mbrojtje.

Pas negociatave me RENEA-n, Marku ka dalë nga banesa shumë i qetë, siç shihet edhe në pamjet e ndara nga policia. Me cigare në dorë dhe pa bluzë ai hap derën e apartamentit dhe u dorëzohet forcave RENEA.  Forcat RENEA dëgjohen dhe teksa i thonë 40-vjeçarit: Je në besën tonë!

Në ballkon dallohen edhe shenjat e plumbave, ndërsa është gjetur edhe kallashnikovi me të cilën qëllonte 40-vjeçari, 18 gëzhoja dhe një karikator me fishekë.

“Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit Aleks Marku, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës

Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë“, njoftoi policia.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit